Procesi i rinumërimit të votave është duke vazhduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Deri më tani janë rinumëruar 74.89 për qind e vendvotimeve.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë numëruar 1 mijë e 915 vendvotime, nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej.

Nga KQZ kanë thënë se rinumërimi i votave mund të përfundojë këtë javë.
Më 19 janar, KQZ vendosi që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që në rinumërimin e pjesshëm u konstatuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.
Përveç rinumërimit të plotë, KQZ-ja vendosi edhe që t’iu ndërpritet mandati i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, pasi në këtë komunë pati manipulime të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë.
Vendimi u mor pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore. Mbështetje i dhanë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në KQZ.
Prokuroria nga ana tjetër ka filluar hetimet për manipulimet e votave. Madje, në Prizren, të premten u ndaluan 109 persona të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë fenomen.









