Gjykata Speciale ka njoftuar se nga 9 deri më 18 shkurt do të paraqiten deklaratat përmbyllëse në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Gjatë kësaj periudhe kohore pritet të paraqiten fjalët përfundimtare të përfaqësuesve të prokurorisë, avokatëve mbrojtës e të akuzuarve.
Ish-krerët e UÇK-së – Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi – që nga 5 nëntori i 2020, po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të vitit të kaluar, bëri me dije se ka mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.