Ukraina ka rënë dakord për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, me vetëm “detaje të vogla” të mbetura pezull, tha një zyrtar amerikan, edhe pse Presidenti Volodymyr Zelensky tha se duhej bërë ende më shumë punë, shkruan CNN.
Duke folur ndërsa sekretari i ushtrisë së SHBA-së ndodhej në Abu Dhabi për takime me zyrtarë rusë lidhur me propozimin e administratës Trump, zyrtari tha: “Ukrainasit kanë pranuar marrëveshjen e paqes. Ka disa detaje të vogla për t’u zgjidhur, por ata kanë rënë dakord për një marrëveshje paqeje”.
Deklarata e SHBA-së dukej se shkonte më tej sesa pozicioni publik i zyrtarëve ukrainas, të cilët gjithashtu kanë një delegacion në Abu Dhabi dhe që kanë qenë në kontakt me Sekretarin e Ushtrisë, Dan Driscoll.
Në një postim në X, sekretari i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, shkroi se delegacionet kishin “arritur një mirëkuptim të përbashkët për termat kryesorë të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë.”
“Tani kemi besim në mbështetjen e partnerëve tanë evropianë në hapat e mëtejshëm,” shkroi Umerov. Ai shtoi se Ukraina pret me padurim të organizojë një vizitë të Zelenskyt në SHBA për të “përfunduar hapat finalë dhe për të arritur një marrëveshje me Presidentin (Donald) Trump”.
Në një postim në X më herët këtë mëngjes, Zelensky tha: “Pas takimeve në Gjenevë, shohim shumë mundësi që mund ta bëjnë të vërtetë rrugën drejt paqes. Ka rezultate solide dhe shumë punë ende na pret.”
Ndërkohë, Lt. Col. Jeff Tolbert, zëdhënës i Driscoll, tha se bisedimet mes delegacioneve amerikane dhe ruse në Abu Dhabi “po shkojnë mirë dhe mbetemi optimistë”.
Rusia, megjithatë, mund ta refuzojë një plan të rishikuar paqeje të SHBA-së nëse termat e tij janë “thelbësisht të ndryshëm” nga mirëkuptimi i arritur gjatë samitit SHBA–Rusi në Alaska, tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme vdekjeprurëse gjatë natës, ku të paktën shtatë persona u vranë në Kiev. NATO ngriti avionë luftarakë në Rumani pasi të paktën një dron rus hyri në hapësirën e saj ajrore.









