Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi të premten se çështja me Kosovën mbetet një “problem rajonal serioz” për vendin e tij, duke e cilësuar si “shumë të vështirë” për t’u zgjidhur.
Duke folur në një panel të Forumit Global për Siguri “GLOBSEC 2025”, që po mbahet në Bratislavë të Sllovakisë, Vuçiç tha se, pavarësisht sfidës që paraqet raporti i Serbisë me Kosovën, ekonomia e vendit të tij “ka shënuar përparim”.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë prej më shumë se dhjetë vitesh dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me synimin për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre.
Megjithëse janë nënshkruar disa marrëveshje teknike dhe politike – përfshirë Marrëveshjen e Brukselit (2013) dhe Marrëveshja e Ohrit (2023) – palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare, kryesisht për shkak të refuzimit të Serbisë për t’i zbatuar ato që ka pranuar.









