Organizata The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), në përmbledhje të raportit 90-faqësh, ka bërë thirrje për krijimin e një programi sistematik të monitorimit të gjykimeve, duke nënvizuar rreziqet që një gjyq i padrejtë në Hagë sjellë përtej sallës gjyqit.

“Në rrezik është liria e individëve”, thuhet në raport, duke përmendur edhe faktin se viktimat që kanë pritur drejtësi tash e sa kohe nuk kanë interes vetëm për drejtësinë që jepet, por edhe si bëhet ajo.

Avokatët e organizatës britanike kanë shkruar edhe për efektin tejet të lartë që ky gjyq do të ketë në përpjekjet e tjera për drejtësi tranzicionale, e të cilat mund të jenë të dëmshme nëse rezultatet janë të pakënaqshme.

“Për më tepër, rezultatet e KSC-së do të ndikojnë, në mënyrë të pashmangshme, në përpjekjet më të gjera të drejtësisë tranzicionale dhe në arkitekturën ende të brishtë të paqes dhe stabilitetit në rajon. Pasojat e një dështimi në këtë drejtim shtrihen shumë përtej sallës së gjyqit.”

Organizata britanike ka potencuar se ky raport më shume se një verdikt është një matje e temperaturës dhe se nuk arrin dot në përfundime për punën e Gjykatës Speciale.

“Ky raport është, me qëllim, një kontroll i temperaturës dhe jo një verdikt. Ai nuk arrin në përfundimin se Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) po dështojnë në misionin e tyre, as se gjithçka është në rregull”, shkruhet në përfundimin e raportit.