Në dosjen e Prokurorisë Speciale kundër Fatmir Shehollit, thuhet se ai dyshohet se ishte i rekrutuar nga Shërbimi i Inteligjent serb (BIA), dhe se ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-s, Bojan Dimiç.

Në dosjen që e ka publikuar nga “Betimi për Dretësi”, thuhet se Sheholli ka mbledhur informacione për gjoja “pronat e urzurpuara” të serbëve të Ksoovës dhe të njëjtat informacione ia ka përcjellë BIA-s përmes komunikimeve telefonike.

Sheholli, sipas udhëzimeve dhe planeve të Dimicit, thuhet në dosjen e organit të akuzës, më 26 shtator të këtij viti në Mitrovicë të Veriut kishte marrë materiale, audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim “që dyshohet se janë komprometuese” si dhe “një shumë të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat pastaj i ka publikuar në media online”.

Po ashtu, theksohet se nga ky person ka marrë edhe një shumë të hollash si shpërblim për publikimin e tyre të cilat më pas janë publikuar në disa prej mediave online në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, me dashje dhe vetëdije, Sheholli ka ndihmuar BIA-n duke zbatuar udhëzimet e tyre dhe rrjedhimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Kosovës e po ashtu edhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.

Me këto veprime Sheholli dyshohet se ka kryer veprën penale “Spiunazh” nga neni 124 par. 3 të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës me 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera të cilat do të dërgohen në ekzaminim.