993 mijë euro është vlera e tenderit që kompania “Limit Project SHPK” ka fituar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që udhëhiqet nga Fitore Pacolli.
Në grup me operatorin tjetër ekonomik, “Rinesa SHPK”, kompania “Limit Project” është shpallur fituese e pjesës së parë të kontratës për “Rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë në Klinë”.
Pronari i firmës fituese, Lulzim Zaraj, është i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë për mashtrim e keqpërdorim në tenderë.
Kur Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, po transferohej në objektin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë, Zaraj me kompaninë e tij “Limit Project” kishin fituar tenderin për renovimim e hapësirave.
Paguhej, edhe të largonte inventarin dhe mbetjet tjera nga zyret. Por, shumica prej tyre tashmë ishin të zbrazëta dhe aty s’kishte inventar fare.
I kontaktuar nga VOX Kosova, Zaraj, nuk e sheh si problem faktin se është i akuzuar, për marrjen e tenderëve tjerë.
Thotë, se do të shpallet i pafajshëm.
Zaraj, sipas Prokurorisë Speciale, kishte marrë paratë për punët që s’kishte pasur as nevojë t’i kryente, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 36 mijë euro.
Bashkë me Zarajn, për të njëjtin rast ka aktakuzë dhe ndaj Bedri Dobrës, zyrtarit të Ministrisë së Bujqësisë që dikur shpallej punëtor i vitit nga ish ministri Faton Peci.
E mashtrimi dhe keqpërdorimi i parasë publike, në këtë pushtet, në vend se të ndëshkohen, po funksionojnë si referencë suksesi për të kapur tenderët e radhës.








