“Ndihem si idiot”, ka thënë Miroslav Lajçak, pas publikimit të mesazheve të tij me pedofilin amerikan, Jeffrey Epstein.
Ish i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, pasi emri i tij u shfaq në publikimin e fundit të dosjeve Epstein nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane të premten, të shtunën dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit të Kryeministrit sllovak, Robert Fico.
Deri tani, ai kishte shmangur daljet në media, duke u mbështetur kryesisht në deklarata me shkrim. Në intervistën e parë televizive pas këtij rasti, në masë të madhe ai iu përmbajt linjës së paraqitur në reagimin e tij të së shtunës.
“Me sinqeritet, nuk i mbaj mend ato mesazhe”, tha Lajçak për radion shtetërore sllovake “Radio Slovensko”, duke iu referuar mesazheve me pedofilin amerikan ku përmendeshin vajzat. “Nuk mund t’i konfirmoj, por as nuk mund t’i mohoj”.
Por, megjithatë, diplomati sllovak theksoi se pasi që i ka lexuar mesazhet, është ndier “si idiot”.
“Por kjo nuk më çliron nga përgjegjësia”, shtoi ai. “Kam treguar gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse shpërfaqje e egos mashkullore — batuta vetëkënaqëse mashkullore”.
Lajçak tregoi se kishte shkuar në Nju Jork në vitin 2017 për të marrë postin me mandat njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe se Jeffrey Epstein iu prezantua nga një diplomat i lartë i jashtëm. Sipas Lajçak-ut, Epstein ishte gjerësisht i njohur dhe takohej me figura të shumta të biznesit dhe politikës nga SHBA-ja dhe nga jashtë.
Ai ka deklaruar se “nuk shihte arsye për të mos u takuar me të”, duke potencuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij. “Pse të mos e pranoja unë, një djalë nga Sllovakia, një gjë të tillë?”, shtoi ai. “Ai ishte një kontakt i vlefshëm”.
Ai tha se më vonë u njoh me dënimin e Epstein-it në vitin 2008 për një vepër penale seksuale, por përmendi faktin se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të edhe pas kësaj. Kjo, sipas tij, e çoi të besonte se nuk kishte problem të vepronte njësoj.
“Marrëdhënia ime me të ishte për fjalë, jo për vepra. Sot po e paguaj çmimin për komunikimin me të dhe për njohjen e tij”, potencoi Lajçak, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epstein-it në vitin 2019.
Ai konfirmoi gjithashtu se kishte vizituar apartamentin e Epstein-it, por tha se aty ishin të pranishëm edhe figura të tjera të biznesit dhe politikës. “Nuk kishte vajza”, këmbënguli ai. “Kjo pjesë e jetës së Epstein-it ishte jashtë dijenisë sime. Ai nuk fliste për të dhe unë nuk pyesja”, pohoi ai duke shtuar se “ndërgjegjja ime është e pastër.”
“Nuk e dua Lavrovin”, tha Lajçak, duke pranuar se ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, kishin qenë dikur modele profesionale për të. “E ndryshova pikëpamjen time për Lavrovin sapo ai u bë fytyra dhe zëri i agresorit në Ukrainë”. Në njërin prej mesazheve me Epstein-in, Lajçak i kishte shkruar se e donte Lavrovin.
Një tjetër mesazh i Lajçak-ut me pedofilin amerikan ka qenë kur i dërgon një përshëndetje nga kryeqyteti ukrainas, Kievi, duke i thënë “thjesht dua të konfirmoj se vajzat këtu janë të mrekullueshme si gjithmonë”.
Bisedat e Lajçak-ut me Epstein-in janë pjesë e më shumë se tre milion faqeve dokumentesh të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë që kanë të bëjnë me Dosjen Epstein.









