Princi Andrew, vëllai i vogël i Mbretit Charles të Britanisë së Madhe, është arrestuar të enjten nga autoritetet britanike, si i dyshuar për shpërdorim të detyrës publike për shkak të lidhjeve të tij me pedofilin amerikan Jeffrey Epstein.
Në mëngjesin e së enjtes, mediat britanike kishin raportuar se gjashtë automjete policore të paidentifikuara dhe rreth tetë oficerë me rroba civile kishin mbërritur në Wood Farm, në pronën Sandringham në lindje të Anglisë.
Thames Valley Police kishte njoftuar këtë muaj se oficerët po shqyrtonin pretendimet se Andrew Mountbatten-Windsor kishte përcjellë dokumente konfidenciale qeveritare tek i dënuari për krime seksuale – tashmë i ndjerë – sipas dosjeve të publikuara së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Policia britanike konfirmoi gjithashtu se po hetonte veçmas pretendimet se një grua ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar nga Epstein për të kryer marrëdhënie seksuale me Andrew.
“Si pjesë e hetimit, sot (19/2) kemi arrestuar një burrë në të gjashtëdhjetat nga Norfolk, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës publike, dhe po kryejmë kontrolle në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Burri ndodhet aktualisht në paraburgim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Zëvendësshefi i policisë, Oliver Wright, tha se “pas një vlerësimi të plotë, tashmë kemi hapur një hetim për këtë pretendim për shpërdorim të detyrës publike”.
“Është e rëndësishme të mbrojmë integritetin dhe objektivitetin e hetimit tonë ndërsa punojmë me partnerët për të hetuar këtë vepër të pretenduar. E kuptojmë interesin e madh publik për këtë çështje dhe do të ofrojmë përditësime në kohën e duhur”.
Andrew ka jetuar në Wood Farm për gati tri javë dhe është parë vetëm një herë, të enjten e kaluar.
Punëtorët aktualisht po rinovojnë shtëpinë e tij të ardhshme, Marsh Farm – ku do të zhvendoset në prill – dhe së fundmi janë parë duke vendosur një gardh sigurie dhe duke instaluar shërbimin televiziv Sky.
Ish-princi po hetohet nga afro një duzinë forcash policore pasi Dosjet Epstein treguan se ai kishte nxjerrë dokumente të lidhura me detyrën e tij si i dërguar tregtar dhe ia kishte përcjellë pedofilit amerikan.
Të enjten, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, në BBC i bëri thirrje Andrew të dëshmojë.
“Kushdo që ka informacion duhet të dëshmojë. Qoftë Andrew apo kushdo tjetër, kushdo që ka informacion relevant duhet t’i drejtohet organit përkatës. Në këtë rast po flasim për Epstein, por ka shumë raste të tjera. Kushdo që ka informacion në lidhje me çdo aspekt të dhunës ndaj grave dhe vajzave, sipas mendimit tim, ka detyrimin të paraqitet, kushdo qoftë”.
Kjo vjen pasi u raportua se Essex Police, Metropolitan Police, si dhe policia e Surrey, Thames Valley, Norfolk dhe Bedfordshire po shqyrtojnë prova brenda tre milionë faqeve të dosjeve të publikuara nga SHBA-të.
Kontrollet përfshijnë deri në 90 fluturime drejt terminalit privat të Stansted me avionin në pronësi të mikut pedofil të Andrew.
Prej tyre, 15 fluturime janë kryer pasi financieri amerikan ishte burgosur në vitin 2008 për kërkim të shërbimeve seksuale nga të mitura.









