Në telefonin e të akuzuarit për spiunazh për BIA-n serbe, Fatmir Shehollit, hetuesit gjetën një dokument të ashtuquajtur plani “Leptir” – i pretenduar se u përpilua nga struktura të sigurimit shtetëror të Serbisë.
Plani Leptir, siç konstaton aktakuza, kishte të bënte me rekrutimin e Albin Kurtit përmes komprometimit të figurës së tij, por jo sot, jo Kurtit si Kryeministër, por Kurtin si të burgosur në burgun e Serbisë.
“Leptiri” i paraqitur në aktakuzën kundër Shehollit e i gjetur në telefonin e tij, i cili nuk dihet nëse është dokument i vërtetë apo i fabrikuar, sipas Prokurorisë ishte plan për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit nga Serbia gjatë kohës që ky po vuante dënimin në burgjet serbe.
Pra, diku mes viteve 1999 e 2001.
Leptiri, gjithnjë sipas pretendimit, ishte një person, informator i sigurimit shtetëror të Serbisë brenda burgut të Çuprisë, i cili thuhej se kishte kontakte me Kurtin gjatë kohës që ky po vuante dënimin.
Ai e paraqiste Kurtin si “person shumë të mbyllur e tërhequr” dhe me orientim “homoseksual”.
Por, një detaj bie në sy më shumë se gjithçka tjetër.
Në këtë dokument të vitit 2001, Leptiri raportonte se Kurti i kishte thënë se nuk do të jetonte në Kosovë pas daljes nga burgu, por që do të shkojë në Norvegji.
Po në Norvegji.
E çuditshme, apo jo, Kurti në vitin 2014 u martua me një shtetase norvegjeze dhe aktualisht atje i jeton familja.
Pra, ideja e Leptirit ishte që në vitin 2001, të strukturoheshin raporte me informata që do ta dëmtonin Kurtin e përmes tyre të arrihej te rekrutimi i tij nga Serbia, si çmim që të njëjtat të mos dilnin në publik.
Se a është dokumenti i vërtetë apo jo, i mbetet prokurorisë ta zbulojë. Se a arriti Leptiri ta rekrutojë Kurtin, ashtu siç pretendon dokumenti, po ashtu mbetet ta zbulojë Prokuroria.








