“Si nuk u ngopën kurrë?!”
Kështu nis reagimi i kryetarit të Lumir Abdixhiku të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas kërkesës së dy degëve të partisë që ai të japë dorëheqje, respektivisht të degëve në Pejë dhe Lipjan.
Në statusin e tij në Facebook, Abdixhiku bën të ditur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje, duke theksuar se kjo çështje ishte trajtuar tashmë në Kuvendin e 31 janarit.
Megjithatë, për rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet e fundit, ai i bën përgjegjës më shumë kryetarët e degëve, Gazmend Muhaxheri nga Peja dhe Imri Ahmeti nga Lipjani, sesa vetveten, madje pret edhe dorëheqjen e tyre morale.
“Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqje morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai më tej i ka cilësuar të pakënaqurit si sabotues dhe ka theksuar se nuk do të lejojë, sipas tij, tjetërsimin e LDK-së.
“E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë që projektet e ndarjes së LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do të dështojnë edhe tani. Që nga atëherë, me të gjitha pengesat dhe dyshimet, në një kohë kaq të shkurtër, ne megjithatë jemi rritur. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do të lejojmë që vullneti i shumicës dërrmuese të LDK-së të tjetërsohet në projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së”, tha kryetari i LDK-së.
“Ndjej vetëm keqardhje që në momentet më të rëndësishme për LDK-në dhe vendin, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!” përfundon statusi i tij.









