Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, me shumicë votash, është pajtuar se lidershipi i partisë duhet të japë dorëheqje për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas njoftimit të LDK-së në Pejë, anëtarët e Kryesisë kanë kërkuar reflektim të thellë dhe marrje të përgjegjësisë nga udhëheqja e partisë.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, ky akt është një domosdoshmëri në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, përfundon komunikata.
Degën e LDK-së në Pejë e udhëheq Gazmend Muhaxheri.









