Kryetari në largim i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka reaguar për dorëheqjen e Memli Krasniqit nga pozita e të parit të Partisë Demokratike të Kosovës. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Hamza tha se “Krasniqi ka dhënë kontribut me integritet e vendosmëri në krye të PDK-së”. Sipas Hamzës, sot më shumë se kurrë “PDK ka nevojë të jetë e bashkuar përballë sfidave”.
“Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar, të përkushtuar dhe të vendosur përballë sfidave që na presin. Bashkimi, besimi dhe përkushtimi ynë i përbashkët janë forca më e madhe e PDK-së dhe garancia e suksesit tone”, shkroi ai.
Krasniqi kumtoi dorëheqjen sot në një konferencë për media. Tha se vendimi nuk vjen nga zhgënjimi prej diçkaje specifike, por si shkak “i reflektimit”.
“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën”, theksoi Krasniqi.









