Në Dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria e Specializuar në Dhomat e Specializuara në Hagë ka dhënë pak më shumë detaje se si i mori provat nga Serbia si bazë për aktakuzën kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mesin e provave që ka marrë nga adresa të tjera, Prokuroria e rendit edhe Serbinë, shkruan VOX Kosova.

“Këto materiale janë sekuestruar nga bazat e UÇK-së ose nga anëtarë të UÇK-së, gjatë ose pas periudhës së aktakuzës, gjë që është relevante për vlerësimin e autenticitetit të tyre. Operacionet e kontrollit dhe sekuestrimit janë kryer nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ICTY, UNMIK, KFOR ose autoritetet serbe”, thuhet në dosje.

Provat nga Serbia, prokuroria i vlerëson të besueshme dhe një pjesë të tyre i mori direkt kur u kërkoi ndihmë autoriteteve në Beograd.

“Dokumentet e sekuestruara nga autoritetet serbe gjithashtu konsiderohen të besueshme dhe me vlerë të lartë provuese. Materialet e sekuestruara nga autoritetet serbe janë marrë si nga ICTY, të cilave u ishin dorëzuar shumë vite më parë, ashtu edhe drejtpërdrejt nga Serbia, në bazë të kërkesave për ndihmë”, thuhet në dosje.

Prokuroria në Dosjen Përfundimtare besueshmërinë e dokumenteve e arsyeton me nevojën që Serbia kishte për saktësi në planifikime gjatë operacioneve në Kosovë në vitet 1998–1999.

“Autoritetet serbe kanë hartuar raporte mbi operacionet e kontrollit dhe sekuestrimit në bazat e UÇK-së, të cilat konfirmojnë prejardhjen, vendndodhjen, rrethanat dhe materialet e sekuestruara. Qëllimi i mbledhjes dhe analizimit të materialeve të tilla gjatë periudhës së konfliktit nuk do të ishte përmbushur përmes fabrikimit, pasi ato kishin vlerë të rëndësishme operacionale për autoritetet serbe, dhe planifikimi i operacioneve serbe varej nga saktësia e materialeve të mbledhura”, thuhet aty.

Për të njëjtat, thotë prokuroria, edhe Paneli i Gjyqtarëve gjatë seancave kishte pranuar autenticitetin e tyre.

“Paneli përcaktoi autenticitetin e tyre prima facie (në shikim të parë) dhe vlerësoi se nuk kishte bazë për t’i konsideruar këto prova si prima facie të dyshimta, duke i refuzuar parashtrimet e Mbrojtjes në të kundërtën.
Siç ka parashtruar më herët SPO, nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se materialet duhet të trajtohen si prima facie të dyshimta vetëm pse vijnë nga Serbia”, deklaron prokuroria, shkruan VOX Kosova.

Kimberly West, Kryeprokurore e Specializuar

Provat nga Serbia kanë qenë një betejë ku janë përplasur shpatat në sallën e gjyqit në Hagë.

Mbrojtja kishte kërkuar detaje konkrete mbi prejardhjen, por mbi të gjitha kishte kërkuar një proces verifikimi, pasi në shumë prej tyre kishte dyshime të forta se ishin të manipuluara.

Për më tepër, mbrojtja konstatonte se është e njohur edhe në gjyqet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë se Serbia ka përdorur operacione të rreme për t’ia veshur UÇK-së ndonjë rast krimi.

Nga më të njohurat është rasti Panda në Pejë, ku edhe autoritetet në Beograd e kanë pranuar dikur se ishte një akt i Serbisë bomba në një kafene, me qëllim që vrasja e serbëve aty t’u vishej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për provat nga Serbia ka folur edhe një organizatë ndërkombëtare e drejtësisë në një hulumtim të saj, ku ka konstatuar se janë evidentuar 2,356 dokumente që burojnë nga Serbia ose organet e saj.

Përdorimi i provave nga Serbia në rastin kundër krerëve të UÇK-së është trajtuar të paktën përmes tre faktorëve të rëndësishëm dhe shqetësues nga Organizata “The Bar Human Rights Committee of England and Wales”, në një raport 90-faqesh për proceset në Hagë – raport që e ka përgatitur për Avokatin e Popullit.

Sipas kësaj organizate, që përbën një nga hulumtimet dhe monitorimet ndërkombëtare të para e të rëndësishme mbi Gjykatën Speciale, elementi i parë që ngre shqetësime për pranimin e provave nga Serbia është ai politik.

“Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës (sipas nenit 182 të Kushtetutës së Serbisë, Kosova mbetet formalisht e përcaktuar si krahinë serbe) dhe vazhdon ta karakterizojë UÇK-në si organizatë terroriste. Qendra për të Drejtën Humanitare ka dokumentuar se politika zyrtare në Serbi që nga viti 2012 është formësuar nga një narrativë e ndërtuar mbi viktimizimin serb dhe heroizimin e forcave të armatosura serbe, me përjashtimin sistematik të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës – një narrativë e promovuar aktivisht përmes mediave të kontrolluara nga shteti”, thuhet në raport, raporton VOX Kosova.

Faktori i dytë shqetësues, sipas tyre, është interesi i dëshmuar institucional i Serbisë në rezultatin e ndjekjeve penale lidhur me UÇK-në para Dhomave të Specializuara.

“Në vitin 2018, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Veljko Odalovic, deklaroi publikisht se Serbia kishte gjetur arkiva dhe kishte bashkëpunuar me persona që kishin informacione relevante për të prodhuar dokumente lidhur me krimet e pretenduara të UÇK-së. Prokurori serb Dragoljub Stanković raportohet të ketë përshkruar rolin e tij si gjetjen dhe inkurajimin e dëshmitarëve për të dhënë deklarata në Prokurorinë Speciale në Hagë, duke e karakterizuar këtë si shërbim ndaj interesave të Serbisë”, theksohet tutje në raport.

Gjithashtu, aty theksohet se Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç i ka cilësuar procedurat e Gjykatës Speciale si një mundësi për të demonstruar “kriminalitetin e UÇK-së dhe për të kundërshtuar atë që ai e përshkroi si ‘lobin shqiptar’ në Kongresin e Shteteve të Bashkuara”.

Dhe, duke e parë këtë angazhim të madh politik të Serbisë si një detyrë kombëtare për ta dënuar UÇK-në, raporti thekson se pikërisht këtu qëndron rëndësia për mënyrën se si vlerësohet besueshmëria dhe pavarësia e këtij angazhimi.

Faktori i tretë, ndërkaq, sipas BHRC, lidhet me origjinën dhe integritetin e dokumenteve të sekuestruara nga forcat e sigurisë serbe gjatë konfliktit 1998–99.

“Ky shqetësim mbështetet në gjetjet e Dhomës së Gjykimit të ICTY në çështjen Gjorgjeviq lidhur me inskenimin dhe fabrikimin e krimit dhe përpjekjet më të gjera të aktorëve shtetërorë serbë për të shtypur, larguar dhe fshehur provat e krimeve kundër civilëve shqiptarë të Kosovës”, thuhet në raport.

Protesta në Prishtinë në përkrahje të krerëve të UÇK-së

Sipas raportit të BHRC, trajtimi ose përfshirja e shtetit serb në mbledhjen e provave nuk mund të supozohet si neutral.

“Ndërsa nuk mund të ketë një rregull kategorik që aplikon standarde të ndryshme pranueshmërie sipas origjinës kombëtare të provës, interesat institucionale specifike dhe sjellja e dokumentuar e shtetit serb, të identifikuara më sipër, janë faktorë që, kur janë të pranishëm, ndikojnë drejtpërdrejt në zbatimin e rregullave të zakonshme që rregullojnë autenticitetin dhe zinxhirin e ruajtjes së provës.” /VOX Kosova.