Simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ekspozuar në Çyçavicë është dëmtuar, siç bën me dije faqja e fshatit Sibofc në Komunën e Obiliqit.

Në njoftim thuhet se obelisku i UÇK-së është dëmtuar në shkallë të atillë sa do të duhet intervenim për ta riparuar.

“Të dashur bashkëfshatar dhe kontribues për shkronjat e arta te UÇK-së në Çyçavicë: Ju njoftojmë se nga persona të panjohur janë dëmtuar shkronjat në një shkallë ku kërkohet demontimi për sanim. Duke e ditur rëndësinë e këtyre shkronjave për neve si popull i ftojmë organet e rendit të mirren më seriozisht me rastin”, thuhet në njoftim.

Dëmtimi pretendohet të jetë bërë nga persona të panjohur për fshatin.

Kjo nuk është hera e parë që një obelisk i UÇK-së është dëmtuar. Më 17 maj të këtij viti, Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmonte për VOX Kosova se simboli i UÇK-së te vendi i quajtur “Guri i Shpuar” në Kaçanik është dëmtuar dhe se policia kishte nisur hetimet.