Ndryshime të mëdha kanë prekur udhëheqësinë e Policisë së Kosovës, ku në disa prej departamenteve janë emëruar shefa të rinj.

Vox Kosova merr vesh nga burimet se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nisur ndryshimet në strukturën udhëheqëse të Policisë së Kosovës.

Nga shtatë departamentet që ka Policia e Kosovës, pesë prej tyre tashmë kanë udhëheqës të rinj, ndërsa sipas burimeve të Vox Kosova, deri tani e paprekur nga këto ndryshime ka mbetur vetëm Drejtoria e Njësive Speciale.

Me Departamentin Kufitar pritet të udhëheqë Veton Elshani, ndërsa me Departamentin e Hetimeve Fehmi Xhata.

Në krye të Departamentit të Inteligjencës është emëruar Arben Paqarizi, kurse Departamentin e Burimeve Njerëzore do ta udhëheqë kolonel Agron Rukiqi.

Ndërkaq, kolonel Kamer Januzaj është emëruar në krye të Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse.

Ndryshime ka edhe në nivelin rajonal. Luan Keka është emëruar drejtor i Policisë për rajonin e Gjilanit.

Sipas burimeve të Vox Kosova, një prej emrave që pritet të preket nga këto ndryshime është edhe kolonelja Afërdita Mikullovci, e cila për tetë vjet ka udhëhequr Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.

Mikullovci pritet të transferohet në strukturën e trafikut rrugor.