Një kompani që ka financuar Lëvizjen Vetëvendosje është shpërblyer sërish me një tender qindra mijëra euro nga një ndërmarrje publike që kryeshef e ka një person të afërt me partinë në pushtet.
“Ex Fis”, në pronësi të Isa Muharremit, ka fituar kontratë rreth 260 mijë euro nga Korporata Energjetike e Kosovës për furnizim me mazut.
Kontrata u nënshkrua më 13 shkurt 2026 dhe procedura për dhënien e saj u zhvillua në formë të negociuar.
Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kur fitoi për herë të parë Albin Kurti, një nga donatorët e fushatës së Vetëvendosjes ishte edhe Ex Fis.
Në Raportet financiare të fushatës dhe Raportin e Auditorëve të pavarur për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nga 25 shtatori deri më 4 tetor 2019, figuron se kjo kompani i dha Vetëvendosjes mall dhe shërbime në vlerë mbi 9 mijë e 500 euro.
Por, si shpjegohet fakti që kompania që ka financuar partinë në pushtet fiton disa tenderë nga KEK-u?
Gramos Hashani, që është Kryeshef i kësaj ndërmarrje, është i afërt me partinë në pushtet.
Ai pozon shpesh me Kryetarin e Fushë Kosovës, Valon Prebreza, që është nga radhët e Vetëvendosjes.
Që nga koha kur Vetëvendosja ka ardhur në pushtet, Ex Fis ka fituar vetëm nga KEK-u 9 tenderë me vlerë mbi 6 milionë e 440 mijë euro.
Tenderët janë fituar gjatë kohës kur kjo ndërmarrje publike është udhëhequr nga eksponenti i Vetëvendosjes, Nagip Krasniqi, aktualisht i akuzuar nga Prokuroria për korrupsion, dhe tani nga Gramos Hashani.
VOX Kosova tentoi të marrë një përgjigje nga Hashani, por ai nuk iu përgjigj mesazheve e thirrjeve të redaksisë.
Të pyetur për lidhjet e tyre me partinë në pushtet dhe tenderët që fituan viteve të fundit, kompania Ex Fis, u përgjigj se “furnizon KEK-un me mazut pa ndërprerë që nga viti 2002”.
Skema që del nga dokumentet është e thjeshtë: një kompani që ka financuar partinë në pushtet fiton tenderë nga një ndërmarrje publike e drejtuar nga njerëz të lidhur me qeverinë.
Kur kontratat publike përfundojnë tek financuesit e partisë, pyetja nuk është më nëse ka konflikt interesi, por sa i thellë është ai.
Dhe, derisa institucionet zgjedhin të heshtin, hija e dyshimit mbi mënyrën se si shpërndahen paratë publike vetëm sa zmadhohet.








