Lëvizja Vetëvendosje ka arritur një nga rezultatet më të mëdha në historinë e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës në zgjedhjet e së dielës.
Kur janë numëruar 99.26 për qind e votave, Vetëvendosja – pa votat e diasporës – ka marrë mbi 429 mijë vota, apo 49.30 për qind.
Ky rezultat është i përafërt me atë të 2021-së, ku VV-ja pas numërimit të të gjitha votave kishte marrë mbi 438 mijë vota, apo 50.28 për qind. Por ky rezultat mund të tejkalohet në këto zgjedhje, pasi që ende nuk janë numëruar votat me kusht e ato të diasporës.
Në këto zgjedhje, VV-ja e Albin Kurtit ka korrur fitore të thellë në shumicën prej komunave të Kosovës.
VV-ja ka fituar në Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Podujevë, Kamenicë me mbi 60 për qind të votave.
Në Kaçanik, po ashtu fitoi mbi 60 për qind. Në Gjilan, mori mbi 62 për qind.
Në dy qendrat kryesore të Kosovës, Prishtinë dhe Prizren, VV-ja fitoi me mbi 50 për qind. Ndërsa, në Fushë Kosovë mori mbi 54 për qind e në Obiliq mbi 57 për qind. Në Gjakovë mbi 53 për qind.
Fitore domethënëse arriti edhe në atë që konsiderohet bastion i LDK-së, në Istog – mori rreth 45 për qind të votave.
Në Pejë dhe Lipjan po ashtu arriti fitore bindëse – me mbi 48 për qind në të dyja këto komuna.
Pra VV-ja është partia e parë në shumicën prej komunave të Kosovës, përveç Skënderajt dhe Drenasit – ku fitoi PDK-ja – si dhe Deçanit – ku fitoi AAK-ja. Por, në të tria këto komuna, VV-ja është parti e dytë.
Në Deçan, AAK-ja ka marrë mbi 48 për qind, ndërsa VV-ja mbi 30 për qind.
Sa i përket rezultatit që mori në zgjedhje, Kurti theksoi se është fitorja më e madhe ndonjëherë në historinë e Kosovës.
“Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, deklaroi ai ndër të tjera në një konferencë për media të dielën ku shpalli fitoren.









