Avokati i Hashim Thaçit Luka Misetiç, e filloi fjalimin e tij përfundimtar para Trupit Gjykues duke thënë se “Hashim Thaçi është i pafajshëm” dhe kjo jo pa arsye.

Që nga fillimi i procesit këtu në Hagë janë ngritur shqetësime serioze për shkeljen e vazhdueshme të drejtave të njeriut, përmes një gjykimi të anshëm jashtë ligji të fshehtë jashtë publiku e të gjatë jashtë çdo afati.

Me prova që nuk verifikohen si dhe paraburgim përtej çdo standardi ndërkombëtar. Premtimi ishte krejt tjetër nga Bashkimi Evropian si sponzorizues i Gjykatës Speciale dhe e gjithë bota perëndimore, e cila e kërkoi këtë Gjykatë nga Kosova.

BE-ja zotohej se gatishmëria e lartë që treguan Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët dhe vullneti i tyre për respektim të ligjit do të takonte edhe nga ata standardet më të larta të Drejtësisë dhe se ata do të ishin garant e guardian të një procesi ligjor, fer, të drejtë dhe më e rëndësishmja që prezumon pafajësinë e të arrestuarve dhe respekton në plotni Të Drejtat e Njeriut në Proces.

Madje, veç një ditë pas arrestimit të Thaçit, Veselit dhe të tjerëve, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së do lëshonin një deklaratë ku shkruanin se “Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e treguar në ditët e fundit nga Presidenti Hashim Thaçi dhe ish udhëheqësi i PDK-së Kadri Veseli si dhe nga z. Rexhep Selimi dhe ish Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi”.

Madje shtonin se “ne i vlerësojmë fjalimet drejtuar publikut të mbajtura dje nga z. Thaçi dhe z. Veseli, të cilët bënë thirrje për respektimin e procesit gjyqësor”. Dhe për shkak të kësaj sjellje jo veç bashkëpunuese po edhe dinjitoze, BE garantonte se “Prioriteti më vendimtar për BE-në dhe Shtetet e saj Anëtare është respektimi i sundimit të ligjit demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Zotimi i BE-së para popullit kosovar ishte edhe se “Nuk duhet harruar se sipas ligjit, individët nën aktakuzë janë të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre…”. Dhe prapë, më e rëndësishmja theksuan se “duhet të respektohen të drejtat e tyre ligjore”. Shtetet Anëtare të BE-së, si financuesi kryesor i Gjykatës, po në këtë deklaratë shkruanin se vetëm mbi këto parakushte – pra prezumimi i pafajësisë, respektimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut e kanë mbështetur edhe vetë Gjykatën Speciale.

Por, as shtetet anëtarë veç e veç e as BE si institucion nuk e ka luajtur për këto 5 vjet rolin e vet të rojës së drejtësisë në këtë Gjykatë. BE ka lejuar të ndodhin gjimnastika juridike të papara ndonjëherë, të tilla që sfidojnë jo veç ligjet juridike por edhe ato të diktuara nga logjika normale.

Çka s’ka prodhuar kjo gjykatë: një prokurori që keqciton burimet përgjysmon fjali për t’iu dhënë tjetër kuptim, fsheh prova shfajësuese, artificialisht ndërlidhë situata të paqena dhe gjithë këtë të bashkuar me një panel gjyqtarësh që shpesh janë dukur si zyra rezervë e prokurorisë me pyetjet orientuese hipotetike e spekuluese, me hapje të temave të reja që dilnin edhe jashtë kornizës së aktakuzës.

Pra, një gjyq i pashembullt në gjykimet ndërkombëtare derisa Bashkimi Evropian rri apatik karshi shkeljeve brutale ku u mohua lirimi i parakohshëm i të akuzuarve që është praktikë e zakonshme, në një paraburgim që ka kaluar gjysmë dekadën kur dihet se gjykimi në afat kohor sa më të shpejtë garantohet pikërisht nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Nuk u plotësuan as të drejta të tjera bazike, universale, siç është e drejta për gjykim të hapur e transparent. Në Dhomat e Specializuara të Kosovës Prokuroria ka paraqitur 263 dëshmitarë. Prej tyre, 138 janë dëshmi të dorëzuara me shkrim – për të cilat publiku nuk di asgjë – ndërsa rreth 70 të tjerë janë paraqitur në seanca të mbyllura.

Vetëm rreth 50 dëshmitarë kanë qenë të hapur për publikun. Dhe prapë, Bashkimi Evropian, që pati premtuar e garantuar vëmendje drejtësi e mbi të gjitha mbrojtje të të drejtave të njeriut, nuk ktheu kokën një herë të vetme me shqetësim nga Gjykata Speciale.

BE ka parë edhe se si mijëra dokumente të Prokurorisë janë pranuar nga paneli si prova, pa asnjë proces të verifikimit e filtrimit, përkundër se ato nuk kishin as nënshkrim, as datë, as autor dhe nuk dihej as origjina e tyre.

Por, prapë, asnjë reagim i vetëm nga Bashkimi Evropian që premtoi ligj e drejtësi nga dita e parë. Për një popull që fatin e vet e ka të lidhur pashkëputshëm me Evropën e Perëndimin është krejtësisht e parrokshme se si kancelaritë evropiane nuk janë alarmuar tashmë nga kjo krijesë që u ka dalë nga kontrolli.

Është madje krejtësisht e pakapshme edhe për vetë juristë të shquar se si BE-ja hesht dhe me heshtje rreshtohet krah shkeljeve bizare të të drejtave të njeriut, të secilit ligj e të secilës konventë ndërkombëtare dhe lejon pashpjegueshëm persekutimin politik, po edhe fizik të figurave që dikur i patën partnerë në ndërtimin e paqes në këtë kontinent.