Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni i janë përgjigjur Deputetëve të Kuvendit të Kosovës për Rezolutën e miratuar në Parlament më 12 shkurt në lidhje me procedurat në Hagë. Përgjigja e gjykatëses bullgare në fakt nuk adreson shqetësimet e deputetëve në vetëvete por jep garanci të cilat bien poshtë me atë që ka ndodhur deri tani në proceset në Dhomat e Specializuara. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ua ka dërguar deputetëve përgjigjen e Trendafilovës dhe të njëjtën e ka siguruar të plotë VOX Kosova.
“Korniza ligjore që rregullon Dhomat e Specializuara, siç është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përfshin standarde ndërkombëtarisht të njohura të të drejtave për një gjykim të drejtë dhe garanci të fuqishme për pavarësinë gjyqësore. Të gjithë personat që paraqiten para Dhomave të Specializuara, qofshin të dyshuar, të akuzuar apo viktima, mund të shfrytëzojnë mjetet juridike të parashikuara në këtë kornizë ligjore, përfshirë edhe referimet në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës. Kjo e fundit, si dhe panelet penale, kanë zbatuar vazhdimisht Kushtetutën e Kosovës dhe kanë ndjekur jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke siguruar kështu përputhje të plotë me parimet e vendosura ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka shkruar ndër të tjera Trendafilova
Përveç tjerash, për Trendafilovën, në vend se të merret me përmbajtjen e Rezolutës, ishte më e rëndësishme ta uronte Albulena Haxhiun për zgjedhjen si Kryetare e Kuvendit.
“Gjithashtu shfrytëzoj këtë rast për të përcjellë urimet e mia të sinqerta për zgjedhjen tuaj të fundit si Kryetae e re e Kuvendit. Ky post i dalluar bart përgjegjësi të rëndësishme brenda kornizës kushtetuese të Kosovës dhe ju uroj suksese në ushtrimin e mandatit tuaj të ri”, i ka shkruar Trendafilova – Albulena Haxhiut.
DOKUMENT:

Përgjigje, të zbehtë po ashtu, deputetët kanë marrë edhe nga Avokati i Popullit në Dhomat e Specializuara.
“Si Avokat i Popullit i Dhomave të Specializuara të Kosovës, veproj në mënyrë të pavarur, brenda kornizës ligjore të mandatit tim, për të monitoruar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kapitullin II të Kushtetutës për personat që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thotë Pietro Spera, “Ombudsperson” në Gjykatën Speciale.
DOKUMENT:

Më 12 shkurt, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një rezolutë për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku ndër të tjera kërkohet që Gjykata Speciale, të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.
Çka thotë Rezoluta?
Duke rikonfirmuar përkushtimin e plotë të Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues, përfshirë Amendamentin Nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar;
Duke rikujtuar qëllimin e këtij amendamenti dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të adresuar dhe demantuar akuzat e pabazuara që burojnë nga Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës [Dokumenti 12462] i 7 janarit 2011, të cilat as pas një dekade hetimesh ndërkombëtare nuk kanëpërbërë bazë për t’u përfshirë në aktakuzat e ngritura kundër udhëheqësve dhe luftëtarëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
Duke shprehur besimin e plotë në vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë sublime e historisë sonë të lavdishme, mbi të cilën qëndron Republika jonë dhe duke nderuar sakrificat e burrave dhe grave të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj, siç nënvizohet edhe në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës;
Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të saktësuara në Kushtetutën e Republikës sonë dhe në aktet e standardet ndërkombëtare;
Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare, si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
Duke e vlerësuar të domosdoshme që të ritheksohen detyrimet që rëndojnë mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ashtu si edhe mbi çdo institucion tjetër të Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e standardeve dhe parimeve kushtetuese e ndërkombëtare për administrimin e duhur të drejtësisë;
Kuvendi i Republikës së Kosovës
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, që përmban standardet më të mira ndërkombëtare, lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
KËRKON nga shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që ta respektojnë marrëveshjen me Republikën e Kosovës, që gjykata të operojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e cila në brendi i ka të gjitha standardet më të mira ndërkombëtare. Shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të marrrin përgjegjësi, nëse shkelen këto të drejta.
INKURAJON të gjitha shtetet demokratike të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.









