Zbatimi i Ligjit për të Huajt nga Qeveria Kurti vulosi njohjen e strukturave paralele serbe nga Kosova, gjë që de jure s’kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Por, çfarë ndodhi në fillim të vitit 2026, ngjan të jetë përgatitur qysh moti.

Një vendim i nëntorit të vitit 2024, i nënshkruar nga Xhelal Sveçla, të cilin e ka siguruar VOX Kosova, tregon se njohja e institucioneve të drejtuara nga Serbia ishte bërë qysh atëherë.

Para dy vitesh.

“Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që i kanë regjistruar faktet e gjendjes civile në strukturat jo-legale serbe, nga data 10 qershor 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kanë të drejtë për aplikim për regjistrimin e atyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës”, thotë pika 1 e dokumentit.

Por, kjo nuk është e gjitha.

Ky vendim i kishte hapur rrugë edhe zbatimit të Ligjit për Shtetësinë, ligj të cilin e modifikuan Kurti e Sveçla duke e larguar rregulloren e UNMIK-ut që përcaktonte kriteret për marrjen e shtetësisë, por pa e zëvendësuar me kritere të tjera fare, duke ua çelur derën sa më shumë serbëve ta marrin shtetësinë e Kosovës.

“Në rast se qytetarët, që e gëzojnë të drejtën sipas pikës 1 të këtij vendimi, kanë lidhur martesë me shtetas të huaj, këta të fundit duhet t’i nënshtrohen dispozitave të ligjit përkatës për të huajt për të fituar shtetësinë e Kosovës përmes procedurës së natyralizimit sipas ligjit përkatës për shtetësinë e Kosovës”, thotë tutje vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ishte fshehur diku që nga viti 2024.

Këto dokumente kanë vulë e nënshkrim, dihet emri dhe mbiemri, por një gjë nuk u tregua kurrë: pse u mbajt i fshehtë për publikun?

“Ne veç po e zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vitesh dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave që janë në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit”.

Kështu deklaronte Kurti në mars të këtij viti , por pa treguar se hapësirën ligjore ia kishin përgatitur bashkë me Sveçlën qysh në vitin 2024.