Ende pa e marrë zyrtarisht e me fuqi të plotë detyrën e Presidentes, Vjosa Osmani kishte aktivizuar fshesën e shkarkimeve në institucionin që drejton. Më 15 dhjetor, përmes një vendimi të nxjerrur kishte larguar Driton Gashin nga detyra e Sekretarit në Presidencë.
24 orë më vonë, aty emëronte Ushtrues Detyre, Fehmi Mehmetin. Nga ajo ditë, e deri sot, Mehmeti gjendet aty, si U.D i pozitës numër 2 për nga rëndësia në Presidencë.
Zyrtarisht e me dokument, Presidenca dhe personi në krye të saj, Vjosa Osmani, përmes këtij veprimi kanë shkelur Ligjin. Sipas një vendimi obligativ të nxjerrur nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Fehmi Mehmeti ushtron kundërligjshëm detyrën e Sekretarit në Presidencë që nga shtatori i vitit që shkoi.
Pavarësisht profesionit si juriste, Vjosa Osmani u bë pjesë e kësaj shkeljeje përbrenda institucionit të saj. Ligji për Presidentin e Republikës specifikon qartë se kryetari i shtetit ka përgjegjësinë kryesore të zgjedhjes së Sekretarit të ri, sipas procedurave të Ligjit për Shërbimin Civil.
“Presidenti i Republikës cakton një komision përzgjedhës i cili i propozon Presidentit kandidatët e mundshëm për pozitën e Sekretarit. Presidenti emëron Sekretarin nga lista e propozuar nga Komisioni përzgjedhës”.
Por kjo nuk ndodhi, dhe arsyet nuk dihen. Për pasojë, nisën të anuloheshin edhe konkurset e nxjerrura nga Sekretari, ngase siç u konstatua, që nga shtatori i vitit të kaluar ai ushtron kundërligjshëm këtë pozitë, e nga ajo periudhë, çdo vendim i tij është i paligjshëm dhe i pavleshëm.








