Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani, nuk mund ta mandatojë askënd për formimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i ka votat e nevojshme.
Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Vetëvendosja propozoi Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për krijimin e Qeverisë së re.
“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme”, shkroi Haradinaj.
Ai theksoi se shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. “Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese”, potencon ai.
Kandidatura e dytë nga VV për qeveri, në prizmin e Haradinajt, është veç përpjekje “për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”.
“Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, pohoi kreu i AAK-së.
Konjufca u propozua si mandatar i dytë për krijimin e Qeverisë së re nga Kryetari i VV-së, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.
Këtë propozim, Kurti theksoi se po e bën “për shkak të vlerësimit e besimit të madh që kam dhe që kemi të gjithë ne bashkë te Glauku, por edhe për shkak që të mos bëhen dy herë zgjedhje – edhe në dhjetor, edhe në prill”.









