Qeveria zvicerane të mërkurën tha se dëshiron të shtrëngojë rregullat që kufizojnë blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, për shkak të shqetësimeve për mungesën e banesave dhe një referendumi të ardhshëm për kufizimin e popullsisë.

Këshilli Federal qeverisës tha në një deklaratë se synon të ndryshojë ligjin e ashtuquajtur “Lex Koller”, i cili kufizon pronësinë e huaj të pasurive të paluajtshme në Zvicër, dhe se do të zhvillojë konsultime mbi ndryshimet e propozuara që do të zgjasin deri në mes të korrikut.

Sipas propozimeve, qytetarët e vendeve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë do të duhet të marrin leje për të blerë banesa kryesore në Zvicër dhe do të detyrohen t’i shesin brenda dy vjetësh nëse largohen nga vendi.

Propozimet gjithashtu parashikojnë që këta shtetas të mos lejohen të blejnë pasuri të paluajtshme komerciale vetëm për qëllime investimi ose qiradhënieje. Blerja e shtëpive të pushimit do të kufizohej duke ulur kuotat kantonale të lejeve dhe duke shtrënguar rregullat e rishitjes.

Standardi i lartë i jetesës në Zvicër, sektori i fortë korporativ dhe krijimi i vendeve të punës kanë nxitur emigracionin, duke shtuar shqetësimet se infrastruktura publike po vihet nën presion.

Në qershor, zviceranët do të votojnë për një propozim që synon të mos lejojë që popullsia rezidente të kalojë 10 milionë deri në vitin 2050. Këshilli Federal ka kërkuar që votuesit ta refuzojnë këtë propozim.