Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Union.
Këtë, Kurti e ka kërkuar në takimin që ka pasur me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë”, shkroi Kurti në Facebook.
“Është e rëndësishme dhe e nevojshme mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”.
Kurti tha se “me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtoj reformat”.
“Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë”.
Në Procesin e Berlinit, Kryeministri theksoi se “Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”.









