Vendimi i Presidenrit të Kinës, Xi Jinping, për të vënë nën hetim gjeneralin më të lartë në hierarkinë ushtarake kineze është një lëvizje tronditëse, që e lë Xi-n pothuajse i vetëm në krye të strukturës ushtarake – duke ngritur pikëpyetje të thella për pasojat që kjo ka për forcat e armatosura më të mëdha në botë, si dhe për ambiciet e Pekinit për të marrë kontrollin e Tajvanit, shkruan prestigjiozja amerikane CNN.
Por, ky spastrim, sipas CNN, tregon qartë një gjë: për Xi-n, asnjë objektiv nuk është shumë i madh për t’u rrëzuar, teksa ai po rindërton ushtrinë sipas vizionit të tij – duke vënë besnikërinë mbi gjithçka tjetër.
Hetimet ndaj Zhang Youxia-s, një komandant ushtarak me përvojë lufte dhe aleat i hershëm i Xi-së, si dhe ndaj Liu Zhenli-t, kreut të operacioneve të përbashkëta të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA), u njoftuan të shtunën përmes një videoje të shkurtër 30-sekondëshe të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Një editorial pasues në gazetën People’s Liberation Army Daily akuzoi Zhang-un dhe Liu-n për “shkelje serioze dhe minimin e sistemit të përgjegjësisë përfundimtare që i takon kryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak” – një gjuhë burokratike që sugjeron se ata përbënin kërcënim për atë që ka më shumë rëndësi për Xi-n: autoritetin e tij.
Këto akuza shënojnë kulmin e një përpjekje të pamëshirshme, mbi një dekadë të gjatë, të Xi-së për të larguar kundërshtarët dhe për të pastruar “korrupsionin” e dyshuar. Vitet e fundit, ky proces ka zbrazur nivelet më të larta të ushtrisë, me më shumë se 20 zyrtarë të lartë ushtarakë të hetuar ose të shkarkuar që nga viti 2023.
Sa thellë shkon ky proces, bëhet edhe më e qartë tani me hetimin ndaj Zhang-ut.
Gjenerali shihej prej kohësh si i paprekshëm dhe aleat shumë i afërt i Xi-së – një tjetër “princ i kuq”, bir revolucionarësh, lidhjet e të cilit me udhëheqësin kinez datojnë që nga brezi i baballarëve të tyre, që luftuan së bashku në Luftën Civile Kineze.
“Kjo mund të jetë një ndryshim sizmik në politikën kineze nën Xi-n dhe në mënyrën se si ai qeveris – tregon qartë se askush në atë sistem nuk është realisht i sigurt”, tha Jonathan Czin, studiues në Qendrën për Kinën pranë Institutit Brookings, shkruan CNN.
Spastrimi “ka arritur tani në një kulm, duke goditur nivelet më të larta të partisë”, tha Czin, ish-analist i CIA-s për Kinën. Kjo sugjeron se Xi ka arritur në përfundimin se “kalbëzimi është aq i thellë në PLA dhe keqmenaxhimi aq i rëndë në krye, sa ai duhet të pastrojë një brez të tërë drejtuesish”.
Në rastin e Zhang-ut, kjo rënie është “pothuajse shekspiriane”, tha Czin, duke e parë në kontekstin e një procesi ku Xi fillimisht goditi armiqtë që përfitonin nga pozitat e tyre, më pas ata që i kishte emëruar vetë, dhe tani po rrëzon edhe njerëz me të cilët kishte marrëdhënie të gjata personale.
“Që Xi të heqë qafe një figurë të tillë është vërtet e jashtëzakonshme… sepse në një sistem me kaq pak besim dhe me politika kaq brutale, këto marrëdhënie janë një mall shumë i çmuar… ato nuk ndërtohen për vite, por për dekada, ose në këtë rast, ndoshta për gjithë jetën”, shton ai.
Rrethanat e hetimit ndaj Zhang-ut mbeten të paqarta, jo vetëm për publikun e jashtëm, por edhe brenda vetë “kutisë së zezë” që përbën ushtria kineze – një strukturë masive dhe e errët edhe sipas standardeve të Kinës, vazhdon artikulli i CNN.
Ëall Street Journal raportoi, duke cituar burime të njohura me një informim të nivelit të lartë mbi akuzat, se Zhang dyshohet se ka rrjedhur “të dhëna thelbësore teknike mbi armët bërthamore të Kinës drejt SHBA-së”, si dhe se ka pranuar ryshfete për veprime zyrtare, “përfshirë promovimin e një oficeri në postin e ministrit të Mbrojtjes”.
Megjithatë, disa ekspertë pyesin nëse akuzat për rrjedhje sekretesh mund të jenë pjesë e përpjekjes së partisë për të ndërtuar një narrativë që qetëson radhët e saj, më shumë sesa shqetësime reale sigurie.
Në mungesë informacioni, kanë qarkulluar edhe thashetheme.
Disa spekulojnë se Xi po humb kontrollin mbi pushtetin – një teori që ekspertët kryesisht e hedhin poshtë. Të tjerë janë fokusuar te mundësia që Xi po shtyp fraksione rivale brenda ushtrisë, gjë që disa e konsiderojnë të besueshme nëse udhëheqësi mendon se përçarjet po shpërqendrojnë drejtuesit e lartë, ose nëse Zhang po bëhej sfidë për autoritetin e tij.
Gjuha zyrtare e përdorur në editorialin e PLA Daily “mund të sugjerojë se Zhang ishte bërë tepër i fuqishëm për shijen e Xi-së”, sipas Neil Thomas, studiues në Qendrën për Analizën e Kinës pranë Asia Society Policy Institute.
Mund të nënkuptojë gjithashtu “se ai thjesht e tradhtoi besimin (e Xi-së), duke ndihmuar në korruptimin e burokracisë së prokurimit dhe/ose duke mos bërë maksimumin për të krijuar një forcë luftarake më të pastër”, tha ai.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2012, Xi ka udhëhequr një përpjekje të gjerë për të riformësuar ushtrinë – jo vetëm për ta kthyer atë në një forcë moderne të aftë të përballet me rivalë si Shtetet e Bashkuara dhe të mbështesë pretendimet territoriale të Kinës, por mbi të gjitha për të mbrojtur partinë dhe udhëheqësin e saj, pa kushte, vazhdon shkrimi i pretsigjozes amerikane.
Ky synim shihet gjerësisht si i nxitur nga leximi i kujdesshëm që Xi i bën historisë, duke parë regjime autokratike që janë rrëzuar kur udhëheqësit humbën kontrollin mbi ushtrinë. Ai lidhet ngushtë edhe me strukturën e ushtrisë kineze, e cila kontrollohet nga partia, jo nga shteti.
Një riorganizim masiv dhe modernizim teknologjik kanë ecur paralelisht me një fushatë kundër korrupsionit. Dhjetëra zyrtarë të lartë ushtarakë dhe drejtues të sektorit të mbrojtjes janë rrëzuar në valën më të fundit të këtyre përpjekjeve që nga viti 2023.
Por, vendosmëria e Xi-së për të spastruar edhe gjeneralët më të lartë shihet më shumë si dëshmi e forcës së tij sesa e dobësisë, thonë ekspertët.
“Fakti që Xi Jinping ka qenë në gjendje të largojë kaq shumë elita të PLA-së që nga marrja e pushtetit… është një tregues i qartë se pozicioni i tij në regjim është i paprekshëm”, tha James Char, profesor ndihmës në Institutin e Studimeve të Mbrojtjes dhe Strategjisë pranë Shkollës S. Rajaratnam në Singapor.
Lëvizja e fundit e lë Xi-n pothuajse të vetëm në krye të hierarkisë ushtarake kineze.
Komisioni Qendror Ushtarak, që ai kryeson, kishte gjashtë anëtarë me uniformë pas riorganizimit të rregullt të vitit 2022. Hetimi i fundit (edhe pse ende pa përjashtime formale) lë në këmbë vetëm një prej tyre: Zhang Shengmin, “carin” e luftës kundër korrupsionit në ushtri.
Shkarkimet në nivele të larta e kanë lënë udhëheqjen e PLA-së “në një gjendje kaosi për momentin”, tha Thomas nga Asia Society.
“Kanë mbetur shumë pak oficerë me gradën gjeneral. Jam i sigurt se ka njerëz të aftë që presin në prapaskenë, por të gjithë do të jenë të rinj në pozita të larta drejtuese”, tha ai, duke shtuar se Xi mund të shfrytëzojë më shumë se 18 muajt deri në riorganizimin e radhës për të verifikuar kandidatë të rinj dhe për të “zhdukur ndikimin e marrëdhënieve ekzistuese të patronazhit”.
Ndërkohë, CNN shkruan se Xi ka filluar të angazhojë oficerë të nivelit të dytë të PLA-së për të mbushur, kryesisht në mënyrë joformale, rolet e lëna bosh nga paraardhësit e diskredituar, si në departamentet e Komisionit Qendror Ushtarak ashtu edhe në degët e ushtrisë, sipas Char-it në Singapor.
“Operacionet e përditshme të PLA-së kanë vazhduar normalisht pavarësisht këtyre spastrimeve, pasi një trupë më e re – dhe ndoshta më profesionale – oficerësh është e gatshme të marrë këto përgjegjësi”, tha ai.
Por, çfarë do të thotë kjo për ambiciet më të gjera të Pekinit – përfshirë synimin për të marrë kontrollin e Tajvanit, që qeveria komuniste kineze e konsideron territor të saj pavarësisht se nuk e ka kontrolluar kurrë – mbetet e paqartë.
Në qendër të kësaj dileme janë pyetjet nëse do të ketë ndikim në aftësinë operacionale të menjëhershme të ushtrisë, në moralin e trupave, apo në afatet që Pekini mund të ketë për gatishmërinë për të arritur këtë objektiv, përfshirë edhe përmes forcës ushtarake.
Hetimi ndaj Liu-t, në veçanti, i thekson këto shqetësime, duke pasur parasysh rolin e tij në koordinimin e institucionit kryesor të komandës luftarake të PLA-së.
Megjithatë, kjo mund të mos jetë një çështje që e shqetëson shumë Xi-n për momentin, sipas Czin nga Brookings.
Sipas tij, udhëheqësi kinez ka të ngjarë të shohë një administratë amerikane që nuk duket “veçanërisht e interesuar” për çështjen e Tajvanit dhe mundësinë e një ndryshimi pushteti në zgjedhjet e Tajvanit në vitin 2028, duke llogaritur se tani është një “moment i sigurt për të pastruar radhët”.









