Pas kërkesës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale për 45 vjet burg për secilin nga katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të dalur nga Lufta e UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se organi i akuzës nuk mund ta fitojë rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Vesel;it, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit “me rrena” e “fabrikime”, derisa u shpreh i bindur se ata do të dalin, siç pohon ai, “faqebardhë”.

Gucati thekson se Prokuroria e Speciales “prej fillimit, deri në fund, deri në ditën e mërkurë ka gënjy, ka shpifur, ka montu, ka marrë njerëz të infiltruar, ka marrë njerëz që kanë qenë ndoshta bashkëpunëtorë të Serbisë, çdo metodë ka përdorë për me e gjunjëzu apo për me e qitë UÇK-në si organizatë të përbashkët kriminale”.

“Ne e dimë që prokurorët këtë punë e kanë, se prokurorët s’kanë tjetër punë. Sa ma shumë materiale, sa ma shumë dokumente për me… mundohen me fitu rastin ata”, shton ai.

Por,Gucati thotë se beson fuqishëm, “më së pari në Zot edhe në drejtësi, që ata s’do ta fitojnë rastin hiç”. “Rasti nuk fitohet me rrena. Nuk fitohet me fabrikime. Nuk fitohet me njerëz të poshtër të cilët e kanë trupin në Kosovë dhe kokën në Serbi”.

“E kështu që dua me besu fuqishëm që ata do të dalin faqebardhë, më së pari shteti jonë del faqebardhë. Del Ushtria Çlirimtare, edhe dalin vetë tani. Se atje nuk po dënohet Presidenti Hashim Thaçi, as baçi Jakup, as Rexhep Selimi, po as Kadri Veseli, por po dënohet e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës edhe vetë shteti.  Se gjoja tani na e paskemi ba shtetin, me thonjëza me “kriminalë”, që është turpi ma i madhi në botë. Unë s’besoj që do ta lejojnë askush”, deklaroi ai në një intervistë për Ekonomia Online.