Një shkresë e Rexhep Selimit me pesë kërkesa është protokolluar në fund të muajit korrik në sirtarët e gjykatësve të Speciales.
“10-shi”, siç njihej në luftë, gjykatës i ka parashtruar disa çështje dhe ankesa që lidhen me periudhën e shtatorit të këtij viti kur në gjyq do të dalin dëshmitarët e mbrojtjes.
Ndër të tjera, ai kërkoi që Prokuroria të kufizohet që të bëjë pyetje vetëm mbi temat e trajtuara gjatë dëshmisë direkte të dëshmitarëve.
Kërkesë tjetër e tij ishte që të ndalohet përdorimi i dokumenteve të reja pa standard të provimit “të freskët” të vërtetësisë së tyre.
Gjithashtu Rexhep Selimi ka kërkuar nga Trupi Gjykues që të ndalohet pyetja e dëshmitarëve për veprimet e tij gjatë luftës, nëse dëshmitari që flet nuk është i thirrur nga ai.
DOKUMENT:

Ish-deputeti i VV-së po ashtu ka kërkuar nga Gjykata që të ndryshohet rregulli që lejon rihapjen e “kryqëpyetjeve” nga palët e tjera nëse gjatë dëshmisë dalin çështje të reja.
Argumentet e përdorura nga ana e mbrojtjes së Selimit janë të papranueshme për Prokurorinë.
ZPS ka thënë se rregullorja e Gjykatës ia lejon asaj që të bëjë pyetje të rëndësishme për çështjen e saj, përtej asaj që dëshmitari ka thënë në dëshminë direkte.
Sipas Prokurorit Special, çdo ndalim i kësaj të drejte do të dëmtonte efikasitetin e procesit gjyqësor.
DOKUMENT:

Organi i akuzës i udhëhequr nga prokurorja amerikane Kimberly West thotë se nëse do të pranohej kërkesa e Rexhep Selimit, do të kontrollohej mënyra se si bëhet drejtësia.
Çështja e mbrojtjes në Gjykatën Speciale do të fillojë shpalosjen më 15 shtator.
Një muaj më herët, më 19 gusht, do të ketë konferencë mbi ecurinë e çështjes për t’i sqaruar edhe detajet e fundit para se dëshmitarët e mbrojtjes të nisin dëshmitë e tyre në gjykatore.









