Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet të hënën me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për çështjen e Presidentit.
Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Takimi, siç njoftoi Mustafa, do të mbahet në hapësirat e Kuvendit, duke filluar nga ora 11:00.
Aktualisht, Kosova është me ushtruese detyre të Presidentes. Këtë pozitë e mori Albulena Haxhiu pasi që Vjosa Osmanit më 4 prill i përfundoi mandati 5 vjeçar.
Takimi i Kurtit me Abdixhikun vjen në një kohë kur afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese prej 34 ditësh është duke duke iu afruar fundit.
Kanë mbetur edhe 10 ditë kohë që të zgjidhet Presidenti. Nëse brenda këtyre ditëve nuk ka President të ri, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Kurti ishte takuar me Abdixhikun edhe më 6 prill. Por, nuk pati ndonjë rezultat.
Pas vendimit të Kushtetueses, Kryeministri është takuar vetëm me Kryetarin e LDK-së dhe jo me atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
PDK ka bërë të qartë se nuk i mbështesin dy emrat aktualë – Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun – derisa për takim me Kurtin kanë thënë se po e presin ftesën e tij, të cilën, siç theksojnë ata, nuk e ka bërë.









