Qeveria në detyrë e Kosovës sot do të mbajë mbledhje nga ora 12:00. Sipas njoftimit për media nga ekzekutivi, në rend dite janë 14 pika. Pikat janë kryesisht për shpronësimin e disa pronave në interes publik.
Ndërkaq në ora 15:00, Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme pas bllokimit prej disa ditësh të transportit publik për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë që veprojnë në kryeqytet për shkak të problemeve financiare në komunë.
Punëtorët kanë kërkuar zgjidhje të shpejt të problemit, teksa Komuna dhe Qeveria po i hedhin fajin njëra-tjetrës për alokimin e mjeteve të kryeqytetit.
Mijëra qytetarë janë detyruar që katër ditë që të gjejnë zgjidhje alternative për të lëvizur në mungesë të transportit publik.
Qeveria dhe Komuna e Prishtinës ende nuk kanë arritur që të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.
Nga Sindikata e “Trafikut Urban” kanë thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje nuk i kanë marrë pagat që dy muaj, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.









