Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka ushtruar të drejtën e votës në Gjakovë, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Fehmi Agani”.
Pas votimit, Gjini u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të vendosur për të ardhmen e vendit.
“Sot është një ditë e mirë, mot i mirë. I ftoj qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë, ta marrin Kosovën në duart e veta”, deklaroi ai.
Gjini theksoi se sovrani i vendit janë qytetarët dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet përmes votës.
“Kosova u përket vetëm qytetarëve, ata duhet me thënë fjalën e vet sot”, tha kandidati për kryeministër.
Ai shprehu gjithashtu shpresën që procesi zgjedhor të zhvillohet pa pengesa dhe që rezultatet e tij të kontribuojnë në një të ardhme më të mirë për vendin.
“Urime këto zgjedhje, shpresoj që me sjellë ditë më të mira për Kosovën”, u shpreh Gjini.









