Australia tashmë është vendi i parë në botë që ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijë nën moshën 16-vjeçare. Hapi i qeverisë për të bllokuar qasjen për fëmijë është mirëpritur nga shumë prindër, por është kritikuar nga kompanitë e mëdha teknologjike dhe lobues të lirisë së shprehjes.

Qysh nga mesnata, dhjetë platformat më të mëdha sociale, përfshirë Tiktok, Youtube, Instagram e Facebook janë detyruar të bllokojnë qasjen për fëmijë ose në të kundërtën të marrin dënime deri në 33 milionë dollarë amerikanë. Krejt kjo sipas ligjit të ri, që po monitorohet afër nga e gjithë bota.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, e quajti “ditë krenarie” për familjet australiane, ndërsa ligjin e ri e quajti shembull se si ligjvënësit mund të frenojnë dëmet që kanë tejkaluar çdo masë të mundshme mbrojtëse të familjeve.

“Kjo do të bëjë një diferencë enorme. Është një nga ndryshimet më të mëdha shoqërore e kulturore që ka parë vendi ynë”, tha Albanese në një konferencë për media.

“Është një reformë kuptimplotë që do të vazhdojë të jehojë rreth e rreth botës”.

Nëpërmjet një video-mesazhi, kryeqeveritari australian u ka bërë thirrje fëmijëve që të nisin ndonjë sport të ri, të mësojnë ndonjë instrument ose të lexojnë ndonjë nga librat që u kanë mbetur për gjatë në rafte.