Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy publikoi librin e tij me kujtime nga burgu.

Në të, ai përshkruan qëndrimin 20-ditor në qeli, duke përfshirë ushqimin, dushin me ujë të dobët dhe këshillat e tij për t’iu afruar votuesve të ekstremit të djathtë.

Libri i Sarkozy-t për 20 ditët e tij pas hekurave, i titulluar “Ditari i një të burgosuri” (“Le journal d’un prisonnier”), doli të mërkurën në shitje.

Kujtimet, me 216 faqe (rreth 11 faqe për ditë të qëndrimit në burg), përshkruajnë burgun La Santé – ku ai u dënua për bashkëpunim kriminal në financimin e fushatës së tij të vitit 2007 me fonde nga Libia – si një botë gri, me zhurma, e ashpër dhe plot “dhunë çnjerëzore”.

Duhet kujtuar se Sarkozy ishte i mbajtur në izolim dhe i ndarë rreptësishtë nga të burgosurit e tjerë për arsye sigurie.

Ai shkruan se qelia i ngjante një “hoteli të rangut të ulët, përveç derës së blinduar dhe hekurave”, me një dyshek të fortë, një jastëk plastik dhe një dush që nxirrte vetëm një rrjedhë shumë të hollë uji.

“Pjesa më e keqe ishte se kjo rrjedhë e hollë uji ndalej shumë shpejt, sikur ishte me kohëmatës. Duhej vazhdimisht të gjeje butonin dhe ta shtypje.”

Me sa duket, Sarkozy nuk i ka provuar “bekimet” e dusheve në palestër apo pishina publike.

Duke hapur dritaren ditën e parë, ai dëgjoi një të burgosur që “godiste pa pushim hekurat e qelisë me një objekt metalik”.

“Atmosfera ishte kërcënuese. Mirë se vini në ferr!”

“Dhuna më çnjerëzore ishte realiteti i përditshëm i këtij vendi”, vazhdon ai, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e sistemit për të riintegruar njerëzit pas vuajtjes së dënimit.

Sarkozy thotë se refuzoi ushqimet e shërbyera në tepsi plastike me një “baget të qullët e të butë” – era e të cilave, siç shkruan ai, e bënte të ndihej keq. Në vend të tyre, ai konsumonte “produkte bulmeti, drithëra, ujë mineral, lëng molle dhe disa ëmbëlsira”.

I lejohej një orë në ditë në një sallë të vogël gjimnastike, ku përdorte kryesisht një rutine të thjeshtë.

Gjatë gjithë librit, Sarkozy përshkruan rutinën e tij të përditshme (“Zgjohu herët. Bëje menjëherë shtratin. Laje veten, rruhu, vishu mirë. Jo pizhamë, jo neglizhencë”) dhe krijon portretin e një njeriu që ka vuajtur shumë – dhe që dëshiron që lexuesi të ndjejë keqardhje për “zbulimet” e tij plot ankesa.

Sarkozy përdor librin edhe për të ritheksuar “plotësisht pafajësinë” e tij (“Sa të kem frymë, do të luftoj me gjithë forcën për ta dëshmuar këtë, pa marrë parasysh sa do të zgjasë”) dhe për të ofruar këshilla politike për partinë e tij konservatore Republikanët – veçanërisht se si ajo duhet t’i afrohet votuesve të ekstremit të djathtë.

Ai zbulon se ka folur në telefon nga burgu me udhëheqësen e ekstremit të djathtë dhe dikur rivale, Marine Le Pen.

Partia e saj, Tubimi Kombëtar, “nuk është rrezik për Republikën”, shkruan Sarkozy.

“Ne nuk ndajmë të njëjtat ide për politikën ekonomike, nuk ndajmë të njëjtën histori… dhe vërej se mes tyre mund të ketë ende figura problematike. Por ata përfaqësojnë shumë francezë, respektojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe marrin pjesë në funksionimin e demokracisë sonë”.

Sarkozy argumenton se rimëkëmbja e partisë së tij të dobësuar – e cila për dekada ishte pozicionuar kundër ekstremit të djathtë – “mund të arrihet vetëm me frymën më të gjerë të unitetit, pa anatema e përjashtime”.

Duke e pranuar dobësinë e familjes së tij politike të dikurshme, kujtimet e tij duken se sugjerojnë se një aleancë me të djathtën ekstreme është e pashmangshme, pavarësisht se ai thotë se ka “mjaft dallime” me Tubimin Kombëtar të Le Penit.

Sarkozy përmend edhe miqësinë e tij të dikurshme me presidentin centrist Emmanuel Macron.

Sipas ish-presidentit, Macron kishte ngritur shqetësime sigurie në burgun La Santé dhe i kishte ofruar transferim në një institucion tjetër. Sarkozy, sipas tij, e kishte refuzuar ofertën. Në vend të kësaj, dy policë u caktuan në qelinë ngjitur që ta ruanin 24 orë në ditë.

Sarkozy thotë se e humbi besimin te Macroni pasi presidenti nuk ndërhyri për ta penguar heqjen e tij nga Urdhri i Legjionit të Nderit, dekorata më e lartë franceze, në qershor.

“Nuk kisha asgjë për t’i thënë dhe as dëshirë për një bisedë miqësore”.

Sarkozy u lirua me mbikëqyrje gjyqësore pas 20 ditësh në La Santé. Ai ishte dënuar me një vit burg, gjysma e të cilit kushtëzues, të cilin tani do ta vuajë në shtëpi, me byzylyk elektronik ose masa të tjera që do t’i caktojë gjykatësi.

Apeli i tij kundër dënimit është caktuar të shqyrtohet nga 16 marsi deri më 3 qershor 2026. Ndërkohë, Sarkozy dhe botuesi i tij Fayard – pjesë e një grupi mediatik të kontrolluar nga miliarderi i djathtë Vincent Bolloré – shpresojnë që “Ditari i një të burgosuri” të jetë një nga librat më të kërkuar të fundvitit 2025, i publikuar strategjikisht pak para festave të fundvitit.