“Si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë”, ka thënë Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në Ditën e Veteranit të UÇK-së, pas homazheve që kanë bërë në Prekaz.

“Mu në këtë vend ku jena sot para 34 viteve, kanë qenë shkëndijat e para të lirisë dhe mund të them luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë – me Hamzën dhe Adem dhe rrethi i gjithë Jasharajve u përballen me forcat çetnike paramilitare serbe që luftuan për ditën e sotme. Dhe ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku ligji për vlerat e luftë nuk është bërë ende”, tha Gucati.

Në këtë ditë feste, Gucati theksoi se festën e kanë “të mangët, për shkak se njerëzit që e kanë udhëheqë luftën e paqen gjenden në paraburgim”, duke iu referuar ish-krerëve të UÇK-së.

“Kjo festë për ne, pa ata njerëz, është e mangët”.