Kosova nuk do të jetë më e njëjta pas 16 shtatorit.

Të mërkurën, një trup gjykues, që shpesh ia ruante shpinën prokurorisë në Hagë, do të vendosë nëse do të ndërrojë ora për Kosovën.

A do të ecë akrepi siç pret Kosova, apo kryengritja e pashmangshme për liri e dinjitet, ajo vetëmbrojtje e popullit që po shtypej nga makineria e regjimit të Millosheviqit, do të kriminalizohet përmes çekanit juridik, i cili, fatkeqësisht u gdhend në zyrat e burokracisë evropiane.

Lumi i njerëzve të shtunën në Marshin për Liri ishte një thirrje për dy të vërteta të pakontestueshme.

Ishte kujtesa e një brezi që e di të vërtetën se si arriti deri te liria, që nuk harron dhimbjen për humbjen e familjarëve, vitet e torturat nëpër burgje, mohimin e çdo të drejte, dëbimin masiv me dhunë dhe shkatërrimin e shtëpive.

Ishte marshi që kujtoi se ai brez i viteve të ’90-ta, ata burra që të mërkurën marrin verdiktin, bashkë me mijëra të tjerë, e mbyti frikën dhe durimin, duke u përballur me agresorin për ta mposhtur bashkë me botën perëndimore.

E vërteta e dytë është ajo që kumbon tash e gjashtë vjet.

Një proces gjyqësor, që nga 5 nëntori 2020, ka marrë peng këtë histori vuajtjesh, përpjekjesh e fitoresh dhe po tenton ta kriminalizojë e ta barazojë atë me agresorin.

Gjyqi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një devijim nga e  vërteta e nga çdo standard ndërkombëtar i drejtësisë.

Katër figurave të UÇK-së u mohua mbrojtja në liri, procesi u stërzgjat dhe u mbajt në pjesën më të madhe i mbyllur për publikun, u rrëzua çdo ankesë e mbrojtjes e u aprovua secila kërkesë e prokurorisë, gjyqtarët sfiduan mbrojtjen e jo lëndën e prokurorisë, si dhe avokatëve u kufizua koha dhe qasja në informata.

Mbi të gjitha, ishte një gjyq i ndërtuar mbi letra të fabrikuara në Beograd, të marra si të mirëqena pa asnjë proces verifikimi.

E gjithë kjo ndodhi me aprovimin e Evropës, e cila me njërën dorë

dirigjon procesin, e me tjetrën i kërkon një populli të shtypur të përkulet para kësaj drejtësie.

Por, ajo që u zhvillua në Hagë nuk ishte drejtësi.

Ishte politikë që nga fillimi.

Prandaj, nga e mërkura, Kosova nuk do të jetë më e njëjtë.

Historia e Kosovës nuk filloi në Hagë dhe do të jetë e pamundur të rishkruhet atje.

Megjithatë, me vendimin e saj, Haga mund ta përcaktojë seriozisht të ardhmen e Kosovës.

Sepse shpesh një aktgjykim ndez një betejë të re.