Edhe të premten qytetarët kanë dalur në Prishtinë për të protestuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, nga kunati i saj me sëpatë.

Qytetarët protestues, edhe në ditën e tretë të protestës, kanë kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Disa nga parullat në këtë protestë janë: “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Amaneti i Arlindës ka me ju nxanë”.

Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”. Vazhdoi te Ministria e Drejtësisë, ku u hodhën edhe disa tymuese, pastaj shkuan te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, te Policia e në fund te Qeveria.

Protestat po vijnë pasi që institucionet shtetërore dështuan që ta mbrojnë Arlinda Zekajn, përkundër kërkesave të vazhdueshme të saj dhe paralajmërimeve që mund të vritej.

Deri më tani, 11 policë e dy prokurore janë suspenduar nga detyra për shkak të këtij rasti.

Po ashtu, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje.