Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca sërish kanë protestuar para objektit të Qeverisë duke kërkuar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konstituimin e Kuvendit. Ata kanë thënë se Kosova nuk mund të vazhdojë të mbahet në krizë.

Të hënën, u bashkuan edhe asamblistët, drejtorët dhe aktivistët e PDK-së nga Skenderaj dhe Istogu.

Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se Kushtetuta e demokracia “po cenohen”, prandaj edhe kanë shkuar për të mbështetur Grupin Parlamentar të PDK-së, te cilët, sipas tij, janë duke i mbrojtur këto dy shtylla të shtetit.

“Sot do të dëshmojmë, në të njëjtën kohë të mbështesim fuqishëm deputetët që sot janë të pranishëm këtu dhe që janë vënë në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të demokracisë, e cila po vazhdon të cenohet, dhe ne vlerësojmë si autoritete lokale në këtë rast që jemi pjesë integrale e sistemit kushtetues, se institucionet e Kosovës janë të themeluara mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë, dhe kemi obligim përtej bindjeve politike të mbrojmë institucionet tona, t’i ndërtojmë ato”, tha Nura.

Edhe Kryetari i Degës së PDK-së, Ali Nimanaj, tha se kanë shkuar për t’i mbështetur deputetët në mbrojtje të rendit kushtetues, derisa i bëri thirrje Kryetarit të Vetëvendosje që të konstituojë sa më parë Kuvendin.

“Jemi sot këtu për të dhënë mbështetjen tonë deputetëve në kauzën e tyre për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje mazhorancës dhe partisë e cila ka fituar zgjedhjet që sa më parë të thërrasë seancën dhe të vazhdojë konstituimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të marrë përsipër punët dhe përgjegjësitë të cilat i takojnë dhe të ndikojë me punët e tyre, me projektet e tyre në përmirësimin e jetës së qytetarëve, sepse jeta në Kosovë është rënduar në aspektin ekonomik, social dhe pothuajse jeta është e padurueshme me këtë gjendje politike të cilën ndodhet Republika e Kosovës”.

Mëgrim Lushtaku, deputet i PDK-së, tha se po “cenohet shteti”, prandaj kjo është cëhstje edhe e qytetarëve dhe jo vetëm e përfaqësuesve të tyre.

“I falënderoj veçanërisht kolegët e Skenderajt dhe të Istogut, përfaqësues të tyre që kanë ardhur sot me na mbështet, që kjo kauzë më nuk është vetëm e përfaqësuesve në Kuvendin e Kosovës, por është edhe e të gjithë qytetarëve të vendit, sepse aty ku cenohet shteti, ku cenohet Kushtetuta, cenohet edhe interesi më i madh i qytetarëve, sepse aty merren edhe përgjegjësitë kryesore për t’i zgjidhur problemet e vendit”, tha Lushtaku.

Kurti u ftua që të kthehet në Kuvend për të vazhduar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve tjera edhe nga deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi.

“Kosova që dy vite po përballet pa institucione dhe Kosova që dy vite ka shumë shqetësime, sfida të cilat po i kalon dhe të cilat kërkojnë zgjidhje. Andaj, ne jemi këtu, duhet të shkojmë në parlament, këto probleme, këto sfida t’i zgjidhim atje ku është vendi ku na ka dhënë besimin qytetari”, tha Bytyqi.