Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka lëshuar një sërë kritika ndaj qeverisë së Kosovës për gjendjen e punëtorëve këtë 1 maj, që shënon edhe ditën ndërkombëtare të punëtorëve.
“Qeveritë e përgjegjshme punojnë për të përmirësuar kushtet e punëtorëve, ndërsa qeveria në largim ka bërë të kundërtën. Qytetarët sot përballen me paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe standard që mbetet ndër më të ulëtit në rajon”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj ka thënë po ashtu se paga minimale është kthyer siç thotë ai në “formë asistence”, teksa paga mesatare mezi mbulon nevojat bazike të familjeve “presioni ekonomik” mbi të cilat “rritet çdo ditë”.
“Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është që të vijnë ditë më të mira, me më shumë dinjitet dhe mundësi në vendin e tyre”, ka deklaruar Haradinaj.









