Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë vazhduar edhe të mërkurën protestën e tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke e bllokuar hyrjen. Ata po kërkojnë që sa parë të thirret seanca konstituive e Kuvendit.

Në ditën e pestë të protestës, deputetëve të PDK-së i janë bashkuar edhe disa prodhues vendorë.

Kriza institucionale është duke e rënduar gjendjen e prodhuesve kosovarë, ka deklaruar Abedin Ramadani, i cili merret me prodhimin e drithërave dhe sektorin e qumështit.

“Sot, përveç këtyre problemeve, kemi edhe një problem politik që po na dëmton shumë, mbylljen e Kuvendit. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe vendi mbahet në bllokadë, askush nuk merret seriozisht me hallet tona. Nuk ka debat për subvencionet, për tregun, për mbrojtjen e prodhimit vendor apo për politikat që na duhen për të mbijetuar”, deklaroi Ramadani.

Derisa i bëri thirrje Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që ta konstituojë Kuvendin, ai theksoi se shtetit duhet të jetë partner i prodhuesve dhe jo pengesë e tyre.

“Zotëri Kurti, konstituojeni Kuvendin. Lejojini deputetët të hyjnë në sallë dhe të flasin për problemet reale të qytetarëve, fermerëve, prodhuesve dhe bizneseve. Situata është e jashtëzakonshme dhe, nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet rrezik real”, shtoi.

Nga ana tjetër, deputetët e PDK-së i kanë bërë thirrje sërish VV-së që të thërras seancën konstituive dhe ta konstituojë Kuvendin.

PDK vlerëson se është “cenuar rendi kushtetues” me kalimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhej të konstituohej më së largu më 7 gusht. Por, VV-ja, përkundër se i kishte 61 votat e nevojshme, nuk e bëri.

Kurti tha se i duhet ende kohë për të arritur një marrëveshje politike me partitë, posaçërisht për çështjen e Presidentit.

Të martën, Kurti zhvilloi edhe një takim të radhës me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pikërisht për Presidentin.

Ata thanë se kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe se në takimin e radhës do të shkojnë me propozime të emrave konkretë.