Nesër, të dielën e 7 dhjetorit, zyrtarisht do të mbyllet afati për dërgimin e listave me kandidatë për deputetë nga partitë dhe koalicionet zgjedhore të regjistruara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Veç AAK-së që ka vendosur të garojë e vetme, partitë e tjera në parlament, në një formë a në një tjetër, kanë bashkuar forcat me parti e lista zgjedhore të tjera.
Lëvizja Vetëvendosje e ka konfirmuar bashkëpunimin me GUXO-n dhe Alternativën si koalicion zgjedhor, i cili në fletëvotimin e 28 dhjetorit do të marrë emrin Koalicioni “Lëvizja Vetëvendosje”.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, ndonëse ka vendosur që garës t’i hyjë me emrin zyrtar partiak si e vetme, ka futur në listën e saj zgjedhore ish deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që në zgjedhjet e 9 shkurtit garuan me listën zgjedhore “Koalicioni për Familjen”, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bashkuar forcën e saj me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit si dhe me Aleancën Kosova e Re.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë si e vetme.
Njëjtë ka bërë edhe Nisma për Kosovën. Ajo më herët kishte negociuar mundësinë e një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por negociatat nuk patën rezultat.
Më pas, u hapën bisedime të reja për një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, të cilat po ashtu nuk po duket që kanë dhënë rezultat.
“Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi”, tha para dy ditësh ish deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku.
Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, tha se do ta kishte shumë të lehtë një marrëveshje me PDK-në, për të cilën tha se do t’i duhej “më pak se një minutë”.
Deri nesër, në rast të një marrëveshjeje mes këtyre dy partive, Nisma për Kosovën mund të zgjedhë të mos dërgojë listë në KQZ dhe kështu të shkrihet në listën e PDK-së, duke lënë kështu të hapur edhe një mundësi të fundit.
Burime të VOX Kosova njoftojnë se ende po zhvillohen diskutime në këtë drejtim.
Veç koalicioneve me subjekte politike, partitë kanë zgjedhur të shtrëngojnë listat duke prezantuar edhe aderime e rikthime të individëve të ndryshëm.
Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar si aderime ish deputetin e AAK-së, Shkumbin Demalijajn, profesorin universitar, Gëzim Qerimi, doktorin Adriatik Berisha e ish ministrin e inovacionit dhe profesorin universitar, Muzafer Shala.
Djali i presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, u prezantua së fundi si kandidat për deputet në LDK. Veç tij, si aderime janë prezantuar edhe gazetari Festim Kabashi, gjeneral majori, Gëzim Hazrolli, ish ambasadori Gëzim Kasapolli, analisti Ermal Sadiku, e artistja Adelina Thaçi-Metaj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar disa kandidatë të ri për deputet po ashtu. Ndër prurjet e reja ishin ajo e Agim Çekut, ish kryeministër i Kosovës, Burim Ramadanit, analist politik e ish drejtori i AKI-së e Dardan Krasniqit, ekspert i sigurisë.









