Sot, deri në orën 23:59, subjektet politike duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputetë, në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Deri më tani, përveç disa emrave, asnjë parti nuk e ka prezantuar zyrtarisht listën e plotë të kandidatëve.

Shumica e partive pritet të hyjnë në garë me lista të përbashkëta, duke përfshirë edhe subjekte të vogla brenda tyre. Përjashtim bën Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka vendosur të garojë e vetme.

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në koalicion parazgjedhor me Partinë Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Koalicioni do të mbajë emrin “Lëvizja Vetëvendosje”.

Partia Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë si subjekt i vetëm, megjithëse në listën e saj do të përfshijë edhe kandidatë nga Lista për Familjen.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës garon e vetme, por lista e saj do të ketë kandidatë nga Partia e Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e Re.

Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate mbetet e hapur për një marrëveshje me PDK-në. Deri tani, palët ende nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët.

Nëse arrihet një marrëveshje e tillë, Nisma nuk do të dorëzojë fare listë të veçantë në KQZ, por do të ketë kandidatët e saj në atë të PDK-së.