Në Gjykatën Speciale në Hagë sot (e martë, 10 shkurt) do të vazhdojnë fjalët përfundimtare të palëve në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vazhdimësi gjatë ditës do të vijojë me argumentet e saja Prokuroria e Specializuar.
Gjatë ditës së djeshme (e hënë, 09 shkurt) Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes kryeprokurores, Kimberly West, kërkoi 45 vjet burg për secilin nga të akuzuarit, apo 180 vjet në total.
Një kërkesë e tillë do të thotë se Specialja ka kërkuar dyfish më shumë dënim për krerët e UÇK-së, se sa për të gjithë zyrtarët shtetërorë serbë të dënuar për krime lufte në Tribunalet e Hagës.
Nikola Sainoviç, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe përfaqësues i posaçëm i Sllobodan Milosheviç-it për Kosovën, u dënua fillimisht me 22 vjet burgim, por më pas Apeli ia uli dënimin në 18 vjet.
Dragoljub Ojdaniç, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burgim.
Nebojsha Pavkoviç, Komandant i Ushtrisë së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, e cila vepronte në Kosovë, u dënua me 22 vjet burgim.
Vladimir Lazareviç, Komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Apeli ia uli dënimin në 14 vjet.
Sreten Lukiç, Shef i shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, u dënua fillimisht me 22 vjet burgim, ndërsa Apeli ia uli dënimin në 20 vjet.
Vlastimir Xhorxheviç, ndihmës-ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike, u dënua me 27 vjet burgim, por Apeli ia uli dënimin në 18 vjet.









