Ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ka vazhduar edhe sot dëshminë në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, Clark, ndër të tjera, tha se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues, duke e sfiduar kështu narrativen e Prokurorisë Speciale, e cila tenton që ta paraqesë UÇK-në si një ushtri të organizuar.

“Nga ajri nuk kishte shumë për të parë, dhe nuk mund të bëhej shumë kundër UÇK-së. Kryesisht ata nuk kishin radio. Nuk kishte zinxhir komandues. Nuk ishte sikur po shikoje dy ushtri të rregullta”, tha Clark.

“Nga ajri nuk kishte shumë për të parë, dhe nuk mund të bëhej shumë kundër UÇK-së. Kryesisht ata nuk kishin radio. Nuk kishte zinxhir komandues. Nuk ishte sikur po shikoje dy ushtri të rregullta”, tha Clark.

Në dijeninë e tyre, Clark theksoi se “këto ishin grupe lokale që kishin lindur më shumë apo më pak spontanisht si reagim ndaj viteve të shtypjes serbe”.

Ish-gjenerali amerikan që udhëhoqi fushatën 78 ditorëshe të bombardimeve kundër çarqeve të ushtrisë dhe policisë serbe që po kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, është dëshmitari më i rëndësishëm që mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi e ka sjellë në Hagë deri më tani për të dëshmuar në favor të ish-udhëheqësit të Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Clark është dëshmitari i shtatë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.

Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.

Dëshmoi edhe ish-diplomati amerikan, Chris Hill, dhe pas tij dëshmoi Michael Durke, ish-këshilltar i Clark-ut.

Dëshmitarët e mbrojtjes do të dëgjohen deri në fund të këtij muaji. Palët do të kenë afat deri në muajin dhjetor për të dorëzuar me shkrim fjalët përfundimtare, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm pritet vendimi përfundimtar i Panelit të Gjyqtarëve.

Ndryshe, që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.