Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dënuar gjuhën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilët kërkoi dënim të përjetshëm, por ka dënuar edhe gjuhën seksiste të përdorur ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
“E kam dënuar atë gjuhë. Për mua, ajo gjuhë është e papranueshme, përçarëse dhe është goditëse ndaj veprës madhështore të UÇK-së. Në këtë drejtim, edhe në seancën e sotme do të mbajë qëndrim në raport me këtë çështje”, tha Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Po ashtu e dënoj gjuhën seksiste kundrejt nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku. Për këtë nuk kam qenë e njoftuar, nuk e kam dëgjuar. Jam njoftuar dje nga mediat… dhe nuk do të lejoj që si Kryetare e Kuvendit, Kuvendi të shndërrohet në arenë përplasjesh dhe ku goditen gratë deputete”, shtoi ajo.
Haxhiu theksoi se gratë janë përfaqësuese të qytetarëve të Kosovës dhe nëse ka përdorim të gjuhës së tillë seksiste, “natyrisht se kjo nuk do të lejohet që të ndodh dhe do të dënohet nga unë si Kryetare e Kuvendit”.
“Në këtë rast, ftoj të gjitha Grupet Parlamentare të dënojmë gjuhën e tillë, nga kushdo që vjen”, potencoi ajo ndër të tjera.
Deputeti Geci, në fjalën e tij në Kuvend të martën, i tha PDK-së se “lideri i juaj suprem”, duke iu referuar Hashim Thaçit, do ta ketë fatin e njëjtë si të Naim Murselit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.
“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, deklaroi Geci.
Ndaj kësaj deklarate, reagoi deputetja Çitaku. Nga foltorja e Kuvendit, ajo i tha Gecit se duhet të ndihet i turpëruar për këtë qëndrim.
“S’po di si me të thënë se me të thënë deputet nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë Kryetare e Kuvendit, deputetë të nderuar që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”, tha Çitaku.
Pasi e kundërshtoi, Geci përdori gjuhë seksiste ndaj Çitakut, duke i thënë “i ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”.









