Juristi, Faton Fetahu ka folur për skenarin ideal të vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e bllokadës së institucioneve.
Në emisionin 99 të VOX Kosova, Fetahu është pyetur nga gazetari Lirim Mehmetaj për materien që do të duhej ta ketë vendimi i Kushtetueses, në rast se kjo do të veprojë e pavarur dhe e pandikuar.
“Nëse Gjykata nuk është e kapur dhe vepron profesionalisht, sipas teje, do ta konstatojë që Avni Dehari ka bërë shkelje Kushtetuese. Do ta konstatojë që Komisioni për votim të fshehtë është jokushtetues. Do ta konstatojë që i pari nuk e ka të drejtën absolute dhe nëse e përdor këtë të drejtë për bllokim të konsolidimit të institucioneve i kalon të dytit dhe do ta krijojë mundësinë që dikush tjetër të provojë ta zgjedh Kryetarin e Parlamentit. A është kjo pak a shumë?”, pyeti Mehmetaj.
Fetahu u përgjigj se ky do të ishte një vendim ideal bazuar në rrethanat e krijuara.
“Kjo është, kjo që the është dispozitivi ideal që do ta donte shteti i Kosovës dhe që do të ishte dispozitivi më i mirë i aktgjykimit të ardhshëm”, u përgjigj Fetahu.