Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se të drejtat e shqiptarëve nuk mund të mbeten në margjinë të raporteve, por, sipas saj, duhet të jenë pjesë “e qartë e dialogut politik, e monitorimit ndërkombëtar dhe e çdo procesi ku matet sundimi i ligjit dhe trajtimi i pakicave”.

Këto komente, Haxhiu i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas vërejtjeve të Komitetit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) ndaj Serbisë, të cilat theksoi se i konfirmojnë shqetësimin e ngritur prej vitesh nga shqiptarët e Luginës dhe nga institucionet e Kosovës.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes rezolutës së miratuar më 24 prill 2026, për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e ka trajtuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore. Tani, pas gjetjeve të CERD-it, kjo përgjegjësi ka edhe një adresë të qartë ndërkombëtare”, shkroi Haxhiu.

Ajo potencoi se pasivizimi i adresave “është diskriminim dhe cenim i pranisë juridike të qytetarëve, me ç’rast u mohohen dokumentet, shërbimet dhe siguria para ligjit”.

“Prandaj u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë, mekanizmave të OKB-së, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet dhe të kërkojnë nga Serbia zbatim të plotë të rekomandimeve të CERD-it”, tha Haxhiu.

Shqiptarët që jetojnë në Serbi përbëjnë një nga komunitetet më të shtypura në rajon dhe jo vetëm.

Atyre u mohohen të drejtat elementare. Madje, nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga diskriminimet që shteti serb ua bën shqiptarëve etnikë, që është ngritur edhe në Parlamentin Evropian e Kongresin Amerikan, është pasivizimi i adresave.