Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, pas deklaratës së tij për projektin “Safe City”, ku tha se porositë përmes mesazheve duhet të dërgohen në gjuhën maqedonase dhe angleze, por jo në atë shqipe, edhe pse është zyrtare.

Nga partia e Ali Ahmetit kanë thënë se deklaratat e Kostadinovski përbëjnë “një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të frymës dhe të vetë Kushtetutës së shtetit”. “Me këtë veprim, kryetari i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që tejkalon kompetencat e tij, por ndërhyn brutalisht në rendin juridik dhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend”.

“Edhe një herë u dëshmua se gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk në këtë gjykatë u mbivotuan, duke rikthyer praktika që i kujtojnë opinionit publik kohët më të errëta të viteve të nëntëdhjeta”, theksohet në reagim.

Në këtë drejtim, BDI ka kërkuar “dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që ndan të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim”.

“Përndryshe, prej sot e tutje ai do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo pasojë që mund të prodhohet në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Ne do të veprojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi për këto qëndrime, të cilat nuk janë të rastësishme dhe as të sotme, por janë ndërtuar sistematikisht gjatë dy viteve të fundit”.

Sjellja e tij, konsiderojnë ata, përfaqëson shembullin klasik të “një ushtari partiak që është i gatshëm të vërë në flakë një shtet të tërë për interesa të ngushta”.

BDI i ka thënë Kostadinovskit se për këto veprime “do të përgjigjesh – herët a vonë, por do të përgjigjesh”.

“Bashkëpërgjegjës për këto veprime antikushtetuese dhe antiligjore të Kostadinovskit dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese është edhe VREDI, të cilët janë pa takat e pa zë. Përgjegjësisë nuk do të mund t’i ikni”.

BDI thekson se mbetet e vendosur në mbrojtje të rendit kushtetues, të barazisë dhe të frymës së bashkëjetesës në Maqedoni të Veriut. “Çdo përpjekje për të cenuar këto parime do të marrë përgjigjen e duhur politike dhe demokratike”.