Aleanca ka reaguar pas emërimeve të fundit në shërbimet diplomatike të Kosovës nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Në një shkrim në facebook, Aleanca i ka kërkuar ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, të sqarojë nëse është shfuqizuar Vendimi nr. 113/2024, i nënshkruar më 23 prill 2024 nga ish-ministrja Donika Gërvalla, përmes të cilit ndalohej punësimi i familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve në MPJD.
Sipas Aleancës, pavarësisht këtij vendimi, emërimet e fundit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës shpërfaqin lidhje familjare dhe politike me persona të afërt me pushtetin.
“Ja se si është katandisur shërbimi diplomatik në emra dhe lidhje të pastra pushteti:
• Rina Dragidella (Uashington, SHBA): Mbesa e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla (dhe vajza e Magbule Hysenit, e cila po ashtu u sistemua në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë). U emërua Sekretare e Dytë pa e plotësuar as kriterin bazë rregullativ prej një viti përvojë pune në MPJD në kohën e konkursit.
• Kaltrina Dalipi (Berlin, Gjermani): Vajza e axhës së Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të Albin Kurtit. U dërgua Sekretare e Dytë pa pasur gradë diplomatike të fituar përmes procedurave dhe pa kaluar në Komisionin e Gradave (përderisa motra e saj, Flaka Dalipi, u punësua brenda në MPJD).
• Vera Rexhepi Leci (Ioëa, SHBA): Bashkëshortja e Burim Lecit, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë biznesi i Luan Dalipit në kompaninë MDA. U emërua Konsulle direkt me gradë funksionale pa pasur asnjë gradë paraprake diplomatike.
• Lumturie Lipoveci (Hagë, Holandë): Tezja e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini. U emërua me vendim të Konjufcës më 20 maj 2026 direkt me gradën e lartë diplomatike Këshilltare.
• Njazi Ajvazi (Kopenhagë, Danimarkë): Ish-anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, i cili në konkursin e shërbimit të jashtëm kishte marrë pikët më të ulëta ndër kandidatët e pranuar, e që sot rehatohet si Sekretar i Dytë.”, kanë shkruar Aleanca.
Aleanca ka paralajmëruar se do të kërkojë llogaridhënie për emërimet e përmendura, duke e cilësuar situatën si nepotizëm dhe shkelje të parimeve që Vetëvendosje kishte premtuar t’i mbronte.









