Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ia revokojnë vizën presidentit kolumbian, Gustavo Petro, pasi ky i fundit mori pjesë në një demonstratë pro-Palestinës dhe u bëri thirrje ushtarëve amerikanë që të mos respektojnë urdhërat e presidentit Donald Trump.
“Ne do të revokojmë vizën e Petros për shkak të veprimeve të tij të pakujdesshme dhe ndezëse”, ka shkruar Departamenti i Shtetit në një postim në platformën X.
Petro, teksa po adresonte një turmë protestuesish pro-palestinezë jashtë ndërtesës së OKB-së, bëri thirrje për një forcë të armatosur ndërkombëtare me prioritetin e çlirimit të Palestinës, duke thënë se “ajo forcë duhet të jetë më e madhe se ajo e SHBA-së”.
“Kjo është arsyeja pse nga këtu, nga New York-u, unë u bëj thirrje të gjithë ushtarëve të ushtrisë së SHBA-së që të mos drejtojnë armët e tyre drejt njerëzve. Mos iu bindni urdhërave të Trump, bindjuni urdhërave të humanitetit”, ka thënë Petro në spanjisht.









