Kryediplomatja në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla -Schwarz, nuk tha asnjë fjalë që nga dje lidhur me nënshkrimin që presidentja Vjosa Osmani bëri për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes – një iniciativë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të mbledhur shtetet rreth rindërtimit të Gazës.

Por, historia e deklarimeve publike të kryediplomates kosovare në raport me Donald Trumpin dhe ekipin e tij të dikurshëm, gjatë mandatit të parë, nuk është fort e lavdishme.

Në vitin 2021, kur president u zgjodh Joe Biden, Gërvalla, si ministre e Jashtme e Kosovës, kishte bërë deklarata të ashpra në drejtim të Trumpit dhe ish-emisarit të tij për Kosovën, Richard Grenell.

“As Trumpi dhe as Grenelli nuk janë interesuar asnjëherë për Kosovën, ata interesohen vetëm për veten e tyre”, shkruante ajo asokohe.

Gërvalla shkonte edhe më thellë, duke i akuzuar Trumpin dhe Grenellin se nuk i pranonin zgjedhjet e lira në SHBA dhe se, sipas saj, këto gënjeshtra të tyre kulmuan me sulmin e armatosur në Kapitol.

“Qytetarët amerikan i kanë larguar tashmë që të dy nga postet e tyre të larta. Të dy kanë tentuar më pas që zgjedhjet e lira në Amerikë të mos i pranojnë duke i quajtuar të manipuluara, gënjeshtra këto që kulmuan në sulmin e armatosur ndaj Kapitolit duke i shfaqur botës ndër imazhet më të shëmtuara që kemi parë ndonjëherë nga Amerika”, kishte shkruar ajo.

Ajo e cilësonte Richard Grenellin si një kapitull të së kaluarës.

“Sa mirë të dish që Grenelli është vetëm një kapitull i së djeshmes dhe që e vetmja gjë që i ka mbetur janë mesazhet në Twitter”, shkruante Gërvalla.